Takimi në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi/ Gazetari: Vjen në një kohë të papërshtatshme, pa progres

schedule17:35 - 17 Dhjetor, 2024

schedule 17:35 - 17 Dhjetor, 2024

Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian po mbahet në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.

Sikurse ka ndodhur në të kaluarën, edhe sot pati takime dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviç.

Takimi trepalësh ka nisur pas orës 15:00, ndërsa po vijon edhe në këto momente.

Gazetari Besnik Velija nga Kosova në lidhje live me “Ballkan Update”, u shpreh se nga ky takim nuk ka ende detaje.

Sipas tij, ky takim vjen në një kohë jashtëzakonisht të papërshtatshme dhe me shumë gjasë nuk pritet progres.

“Takimi tripalësh është duke vazhduar, s’ka përfunduar ende. Nuk ka ende detaje nga brenda takimeve. Ky takim vjen në një kohë jashtëzakonisht të papërshtatshme, për të pritur një progres”, tha ai.

Bashkimi Evropian do të përsërisë thirrjen për Kosovën dhe për Serbinë që “pa vonesa dhe pa parakushte të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin për zbatimin e saj, sikur edhe të gjitha obligimet tjera që kanë dalë nga procesi i dialogut”.

Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës. Këto detaje priten të bëhen publike pas përfundimit të takimit trepalësh në Bruksel.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!