Takimi me pedagogët, Shahini: Zgjidhja shpesh tek universiteti

schedule13:44 - 1 Shkurt, 2019

schedule 13:44 - 1 Shkurt, 2019

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, doli në një konferencë për mediat ku u shpreh në lidhje me takimin që pati sot me disa pedagogë. Shahini theksoi se përfshirja e pedagogëve për zgjidhjen e çështjeve është mënyra më e mirë, por adresa e zgjidhjes shpeshherë është te universiteti dhe jo Ministria e Arsimit.

“Një grup pedagogësh më kanë nisur një letër të diskutimeve që kanë patur me një grup tjetër më të madh pedagogësh në fakultetet e tyre. Në momentin që letra erdhi në zyrën tikme i ftova dhe erdhën në një takim. I përgëzova për përpjekjet që të mbledhin asamblete e pedagogëve. Ata më njoftuan që nuk janë mbledhur asnjëherë këto 3 vitet e fundit. Unë mendoj fuqishëm që të ecim përpara fuqizimi i strukturave demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve dhe zgjidhjen e disa çështjeve që me të drejtë nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjes nuk është gjithmonë këtu, por shpeshherë tek universiteti”, u shpreh ministrja.

Shahini tha se gjatë takimit ka pasur mendime të ndryshme me pedagogët. Sipas saj takimi shërbeu për të shuar disa keqkuptime që kanë pedagogët me Paktin për Universitetin.

“Unë i ftova pedagogët për t’ua shpjeguar dhe ballafaquar me detaje Paktin për Universitetin. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por ama e bindur se kemi një qëllim të përbashkët që është përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri. Edhe pse nuk u dakordësuam në fund, unë mendoj që kjo është krejt normale. Ishte një takim që gjithsesi shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që pedagogët kishin për Paktin për Universitetin”, tha ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!