Takimi me Kim, Nikolla: Do të kontribuoj që Kuvendi të reflektojë një qasje të re bashkëpunimi dhe komunikimi

schedule15:02 - 17 Shtator, 2021

schedule 15:02 - 17 Shtator, 2021

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka pritur sot në një takim Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se ambasadorja Yuri Kim i uroi Nikollës, suksese në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

Bashkëpunimi i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara me Kuvendin e Shqipërisë, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, do të vijojë të zgjerohet e forcohet.

“Shtetet e  Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë një partner real e të besueshëm dhe dëshirojmë një Shqipëri demokratike, të fortë dhe europiane.

Të dy vendet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për avancimin e reformës në drejtësi, thellimin e procesit të vetting-ut, për rezultate të prekshme të zbatimit të saj, si edhe për thellimin e reformave të tjera me impakt në jetën e qytetarëve.”

Kryetarja e Kuvendit, e falenderoi Ambasadoren Yuri Kim për urimet dhe mbështetjen si dhe e siguroi për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë.

“Partneriteti strategjik me SHBA është një gurë themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.

Ne vlerësojmë shumë ndihmën e SHBA, veçanërisht për avancimin e reformës në drejtësi, të procesit të vetting-ut dhe kryerjen e reformës zgjedhore dhe të reformave të tjera në rrugën e anëtarësimit ne BE.

Ne do të rrisim përkushtimin e përgjegjësinë për të justifikuar besimin që na dhanë qytetarët në mandatin e tretë.

Unë do të kontriboj që të sjell një qasje të re në komunikim dhe veprimtarinë parlamentare, duke pasur si yll të karvanit që më udhëheq ne punën time interesat e vendit dhe jo përkatësinë time politike”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!