Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbajti sot një takim me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Ky i fundit, në një deklaratë për mediat, tha se ka pritur më shumë mirëkuptim për planin franko-gjerman mbi normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në takim me kryeministrin Kurti, përveç Lajçakut morën pjesë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Visar Duriqi nga Insajder në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Ballkan Update” me gazetare Linda Karadaku zbuloi më tepër detaje. Sipas tij, ndërkombëtarët kërkojnë që Kosova të ndërmarrë hapin e parë ndërsa Kurti nga ana tjetër, këmbëngul që të ecin paralele me njohjen dhe krijimin e asociacionit.
“Nga ajo që di deri më tani është që ajo që është diskutuar ka qenë një prej temave që është asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ka pasur një kërkesë të qartë që procedurat duhet të nisin sa më parë, diçka që nuk është më sekrete. Ndërsa Kurti është barrikaduar ndaj qëndrimit të tij kundër asociacionit. Pra, kjo është pika më e nxehtë për të cilën nuk janë pajtuar.
Problemi qëndron te fakti që ndërkombëtarët këmbëngulin që Kosova të bëjë hapin e parë. Nuk mund të presin që fillimi i asociacionit dhe njohja e dyanshme të shkojnë paralele siç kërkon Kurti. Pas krizës në veri, Kosova duhet të bëjë hapin e parë sipas faktorit ndërkombëtar dhe me filluar procedurën e themelimit të asociacionit”, tha ai./abcnews.al