Takimi Conte-Zaev: Nuk i kuptoj arsyet për mos hapjen e negociatave me RMV

schedule16:24 - 29 Tetor, 2019

schedule 16:24 - 29 Tetor, 2019

Kryeministri Italian Xhuzepe Konte është takuar në romë me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Zoran Zaev. Konte u shpreh në fund të takimit se e kishte shumë të vështirë të kuptonte arsyet konkrete për moshapjen e negociatave për anëtarësimin e Shkupit në Bashkimin Europian.

“Maqedonia e Veriut është anëtari i 31 i NATO. Shkupi meriton të anëtarësohet në Bashkimin Europian, negociatat nisën që në vitin 2005. Nuk i kuptojmë arsyet konkrete për mos hapjen e negociatave. Dhe kjo vlen dhe për Shqipërinë.”

Është kjo deklarata e kryeministrit Italian Xhuzepe Konte në përfundim të takimit në Romë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Konte më tej shtoi se mos hapja e negociatave për të dyja vendet ishte një gabim i rëndë historik i cili duhet rregulluar shumë shpejt. Shkupi ka firmosur traktate me Greqinë dhe Bullgarinë, theksoi Konte.

Kreu i ekzekutivit Italian premtoi se Italia do të vazhdojë betejën në selinë europiane për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. Sipas tij integrimi europian është rruga e vetme. Për sa i përket marrëdhënieve dy palëshe mes Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, Konte u shpreh se Italia është partneri i pestë tregtar i Maqedonisë së Veriut, me një ndër shkëmbim prej 614 milionë eurosh në vit. Ai i tha Zaev se Italia dhe italianët do e mbështesin gjithnjë Maqedoninë e Veriut.

Nga ana e tij kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zaev falenderoi Italinë për mbështetjen për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai tha se i gjithë Bashkimi Europian ishte keqardhur për mos hapjen e negociatave dhe njëzëri e cilësuan si një gabim historik. Por Zaev shtoi se ky gabim mund të korrigjohet dhe se Shkupi është gati për bashkëpunim.

“Dëshirojmë të përmirësojmë marrëdhëniet me vendet fqinjë dhe ta bëjmë vendin tonë modern. Dëshirojmë të krijojmë të gjitha kushtet për të qenë anëtar të Bashkimit europian ashtu si na kërkojnë 85 për qind e qytetarëve tanë,” përfundoi Zaev./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!