Takimi i sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë, me krerët e drejtësisë është komentuar mbrëmjen e kësaj të hëne në emisionin “Real Story”, nga ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Fatos Tarifa.
Sipas Milos, takimi me drejtësinë ndodhi për të dhënë mesazhin e qartë që reforma në drejtësi ka prekur të gjitha institucionet dhe do të ishte e gabuar nëse do takonte vetëm kreun e SPAK, Altin Dumanin. Ndërsa, sipas Tarifës, mesazhet e Blinken gjatë vizitës në Tiranë ishin të të gjitha llojeve.
Milo: Unë mendoj që qëllimisht u bë takimi me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve qendrore të drejtësisë. Për dy arsye, e para për të dhënë mesazhin e qartë që reforma në drejtësi në Shqipëri, që ka prekur jo vetëm SPAK, po ka prekur edhe gjykatën e lartë edhe gjykatën kushtetuese, ka prekur të gjitha institucionet qendrore të drejtësisë dhe SHBA donin ta përsërisnin këtë gjë, që kontributi i tyre ka qenë dhe mbetet sistemi si i tëri. Është e vërtetë që ata u investuan për reformën në sistem. Ishte për të shfryrë pak edhe historinë që u krijua këtu dhe për të mos i angazhuar SHBA në cështje delikate të gjykimit duke takuar vetëm Dumanin, Sepse të takoje vetëm Dumanin, do jepte mesazh të gabuar që ne SHBA inkurajojmë këtë segment të drejtësisë shqiptare, që të vazhdojë në punën që ka dhe cështjet që ka. Ai donte të shmangte interpretime të tilla ndaj dha këtë formë të takimit të drejtuesve të institucioneve qëndrore për ta përfshirë kontributin amerikan në refomën në drejtësi dhe jo për ta identifikuar me një institucion, apo me një person të vetëm.
Tarifa: Paskali ka të drejtë kur thotë, interesimi i amerikanëve është të reformohet i gjithë sistemi. Ndaj takohen krerët e të gjithë institucioneve mos harrojmë që nuk është e vetmja herë që mesazhet shkëmbehen mes tyre. Në shumë raste të tjera, edhe kur ata ishin në një vizitë zyrtare atje, këto mesazhe shkëmbehen direktivat merren, hallet tona qahen tek ata. Pra ndihma është konsistente jo vetëm me një takim të vetëm. Ishte më shumë simbolik, ne jemi të interesuar që këtu të vendoset shteti i të drejtës ky ishte mesazhi me pak fjalë dhe unë po takohem që të përcjell këtë mesazh. Se cfarë ka thënë ne ndoshta s’do e marrim vesh kurrë, po aty nuk ishte një njeri i vetëm, ishin disa./abcnews.al