Takim për të ardhmen, Superiorja “samit” në Shtëpinë e Futbollit

schedule09:58 - 13 Maj, 2020

schedule 09:58 - 13 Maj, 2020

Nis apo jo, kjo është pyetja kryesore dhe më pas ka tema plot për diskutuar. Një ditë më parë FSHF kishte dërguar një përfaqësi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Projekt protokolli sanitar për zhvillimin e ndeshjeve ka qenë në qendër të vëmendjes dhe ka një dakordësi për të.

Mbeten të zbulohen detajet, pikat që duhen përmirësuar, por ajo që vlen për t’u përmendur është se nuk do të ketë teste për COVID-19. Pas takimit FSHF ka sinjalizuar edhe klubet e Superiores, që sot prej orës 11:00 do të dërgojnë nga një përfaqësues në një mbledhje që do të mbahet në “Shtëpinë e Futbollit”.

“Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë ditën e nesërme (sot) një mbledhje me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore për të diskutuar mbi opsionet e rifillimit të futbollit. Kjo mbledhje vjen pas punës së kryer nga stafi i FSHF për përgatitjet mbi rifillimin e garës futbollistike në vend.

Ekspertët mjekësorë të Federatës kanë përgatitur një protokoll mjekësor, që është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në dy takimet e zhvilluara ditët e fundit. Në ditët në vazhdim Federata do të zhvillojë takime me të gjithë anëtarët e saj”, njoftonte mbrëmë FSHF.

DISKUTIMET – Klubet dhe FSHF kanë shumë për të folur, pasi të plotësosh kushtet e duhura për të luajtur dhe për t’u stërvitur në një periudhë si kjo nuk është e lehtë dhe ka kosto shtesë. Vetë presidenti Armand Duka premtoi në Asamblenë e Përgjithshme që klubet do të ndihmohen.

Sot presidentët kanë mundësinë të flasin përballë me të dhe të vënë pikat mbi “i”. Gjithashtu data e rifillimit të kampionatit është një temë me rëndësi, sikurse edhe formati i Kupës së Shqipërisë, nëse do ndryshojë, apo do të “digjet” për këtë sezon dhe kampionati të ketë përparësi, sikurse edhe UEFA u ka sugjeruar të gjitha federatave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!