Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Kotzias dhe Dimitrov, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shkup, u shprehën optimistë për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Por të dy pranuan se situata mbetet ende shumë delikate.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias dhe ai i Maqedonisë, Dimitrov, në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit në Shkup, u shprehën optimistë për një marrëdhënie më të mirë në të ardhmen mes dy vendeve. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, tha se po bisedohet për një çështje shumë delikate dhe është detyrë shumë e vështirë për ta.
Nikola Dimitrov, ministër i Jashtëm, Maqedoni: “Patëm një bisedë të mirë. Folëm për problemin aktual, çështjen e emrit dhe për marrëdhëniet tona në të ardhmen. Kur mendojmë për të ardhmen është vështirë të gjenden ndryshime por për të arritur aty na duhet ta kalojmë problemin aktual. Detyra nuk është e lehtë. Punohet për një ekuilibër shumë delikat. Gjysmën e ditës mendoj çfarë është me rëndësi për mediat greke dhe gjysmën tjetër se çfarë është me rëndësi për ne këtu në Maqedoni.”
Nga ana tjetër ministri i Jashtëm grek u shpreh se zgjidhja e problemeve mes dy vendeve do të ndikojë për një atmosferë pozitive në të gjithë rajonin.
Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm, Greqi: “Jam i lumtur që ndodhem përsëri në tek fqinjët tanë verior. Sot bëmë hapa përpara për të zgjidhur problemet që nuk i krijuam ne, por i gjetëm. Ne duam të ndërtojmë bashkëpunim, stabilitet dhe siguri mes territoreve, gjë që do të ndihmojë të gjithë rajonin. Në politikë është lehtë të mos bësh asgjë. Ministrat e Jashtëm me iniciativë të kryeministrave kanë për detyrë të gjejnë zgjidhje, të cilat duhet të ndihmojnë vendet e tyre. Greqia po del nga kriza ekonomike dhe ne duam bashkëpunim me të gjithë rajonin”.
Kotzias do vazhdojë axhendën e takimeve me kryeminsitrin Zoran Zaev, zv/kryeministrin Bujar Osmani, kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ai do të takohet dhe me kreun e shtetit, Ivanov dhe pse ky takim nuk është konfirmuar ende zyrtarisht./abcnews.al