Takim i partnerëve në Kosovë, Qeveria: Koalicioni i qëndrueshëm

schedule20:46 - 30 Janar, 2019

schedule 20:46 - 30 Janar, 2019

Krerët e koalicionit qeverisës në Kosovë, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj zhvilluan sot për rreth dy orë një takim të jashtëzakonshëm. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura dhe gazetaret  u mbajtën larg selisë së qeverisë, ku u zhvilluan bisedimet. Në përfundim, asnjë prej partnereve të koalicionit nuk foli për mediat, por përmes një deklarate të përbashkët të shpërndarë pak më vonë ata bënë me dije se ekzekutivi është funksional dhe i qëndrueshëm.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës me Serbinë”, thuhet në deklaratën e cituar nga mediat kosovare.

Sipas njoftimit, partnerët e koalicionit kanë rënë dakord që në ditët në vazhdim të intensifikojnë përpjekjet drejt harmonizimit të vendimmarrjes përsa u takon temave të sipërpërmendura, sidomos për platformën e dialogut me Beogradin, që pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, liderët e koalicionit zotohen për bashkërendimin e vendimeve të tyre në një linjë me partnerët strategjikë, SHBA dhe Bashkimin Europian. Ndërkohë, në deklaratë nuk ka informacion mbi zërat për një telefonatë të zhvilluar paraditen e së mërkurës mes kryeministrit Haradinaj dhe Shtëpisë së Bardhë, në lidhje me taksën ndaj produkteve serbe./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!