Ardjan Takaj nuk është i habitur që Skënderbeu nuk ia doli edhe në Gjykatën Federale të Zvicrës. Herë pas here ai shprehej i bindur se do e fitonin betejën ligjore me UEFA-n për dënimin e dhënë për trukime ndeshjesh, por kjo nuk ndodhi.
10 sezonet pezullim nga kompeticionet europiane dhe 1 milion eurot e gjobës Skënderbeu duhet t’i shlyejë. Takaj, pas vendimit të publikuar nga vetë klubi korçar, ka folur dhe thekson se është e njëjta dorë që ka marrë vendimin në UEFA, që i ka ndëshkuar edhe në shkallët e tjera.
“Nuk më surprizon ky vendim, mesa duket është e njëjta dorë që na ndëshkoi edhe në shkallët e tjera. Do të vazhdojmë të luajmë për qytetin dhe tifozët e mrekullueshëm të Skënderbeut. Ata që na kanë dashur gjithnjë dhe kanë sakrifikuar për këtë klub janë motivi jonë”, thotë Takaj fillimisht për “Panorama Sport”.
“E ardhmja? Nuk i japim llogari askujt se për çfarë do luajmë! Pse të tjerët kanë lindur duke shkuar në Europë?! Skënderbeu është i Korçës. Nëse unë do të kisha në plan të shkrija klubin dhe të vendosim një emër tjetër për ta nisur nga e para, atëherë do ta kisha bërë me kohë.
Unë nuk jam nga ata që dorëzohem. Ashtu siç kam premtuar, do të vazhdoj sërish të jem në krye të klubit. Nuk e braktis Skënderbeun”, ka përfunduar Takaj deklaratën e tij. /abcnews.al