Deputetja demokrate Jorida Tabaku, nga foltorja e Kuvendit u shpreh se gjatë fillimit të vitit dhe deri sot ka pasur 2 situata ku qytetarët janë prekur në mënyrë të ndjeshme; roli që duhet të luante autoriteti i Konkurrencës nga njëra anë dhe nga ana tjetër mungesa e shtetit. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ju përgjigj Tabakut duke u shprehur se qeveria ka marrë masat e mjaftueshme për të përballuar krizën. Por e menjëhershme ishte dhe përgjigjja e Tabakut e cila ju drejtuar Ibrahimajt duke e akuzuar se është bërë ministre pa kaluar asnjë shkallë tjetër të administratës.
Debati i plotë:
Tabaku: Në fillim të këtij viti patëm një rritje të çmimeve të ushqimeve. Autoriteti i konkurrencës dhe qeveria nuk morën masa. Patëm protesta masive. A patëm masa nga ana e qeverisë dhe institucionet shtetërore? Çmimet vazhdojnë dhe rriten, ngrihen struktura atipike komuniste si bordet, përsëri nuk ndodh asgjë.
Ibrahimaj: Në vitin 2021 inflacioni nuk ishte rritur, ka filluar të rritet brenda këtij viti. U rrit në janar me 3.7%, në shkurt me 3.9%, në mars me 5.7% dhe në prill me 6.2%. e vërtetë u rrit, por filloi të rritet këtë vit. Është e lehtë të dalësh të flasësh pa shifra, me supozime, po nuk është e lehtë të marrësh vendime që japin rezulatet e duhura. Ne kemi marrë vendimet në kohën e duhur dhe po shohim që rezultate deri tani janë ato të duhurat. Konsumi deri tani nuk ka shfaqur shenja rënie, siç shfaq zakonisht në periudha inflacioniste. Autoriteti i konkurrencës ka qëllimet e veta që janë të përcaktuara me ligj. PPP nuk janë turp të përmenden. Janë procese dhe procedura që ndiqen nga gjithë vendet e botës për të financuar investime madhore të cilat nuk mund të mbarten nga buxheti i shtetit. Procedurat janë transparente dhe i shërbejnë vendit thuhet që kjo qeveri po bën porte dhe aeroporte. Po pse është turp të bësh porte dhe aeroporte? Është turp ta bësh Shqipërinë me 3-4 aeroporte? Unë mendoj që jo.
Tabaku: Gjithmonë me lehtësinë e papërballueshme të arrogancës përgjigjet ministrja që nuk ka kaluar nga shkallët e duhura të meritokracisë. Nuk është turp të bësh PPP por turp është që të arrestohesh për PPP-të apo si puna e atij tjetrit që mund të shkojë prej Check Up. Tregu ka sot probleme më jetike dhe pres që AK të mos merret me tregun e Play Station 5 dhe jo me gjëra më të rëndësishme Çmimet e produkteve janë rritur me kohë, janë rritur çmimet për miellin, për sheqerin, për naftën që nga shtatori por ju e keni mohuar dhe sot vini këtu dhe gënjeni. I thashë ministres që jemi në një situatë stagflacioni dhe ministrja e mohonte ndërkohë që sot po flasim për këtë. Dhe e fundit, sot qeveria po bën biznes me krizën si spekulatore. Po bëjnë biznes në kurriz të qytetarëve shqiptare janë për bukën e gojës. Kur sot po rriten çmimet. Po ndajmë ne para për popullin shqiptar, a thua se janë paratë e tyre por harrojnë që janë paatë e buxhetit të shtetit. Në fund, ju kujtoj që të jeni pak më të qetë dhe më me edukatë kur përgjigjeni./abcnews.al/