Pasi media denoncoi dhënien me qira të 5 kabinave druri tek “Syri i Kaltër”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, përgatit urdhrin e lirimit nga detyra të Administratores së kompanisë që menaxhon zonën. Ndërkohë administratorja Pavlina Konini i tha “ABC News” se prej 20 vitesh këto kabina i ishin dhënë privatit me çmim qesharak, 15 mijë lekë në muaj.
Një urdhër për lirimin nga detyra të Administratores së “Albturist T.O” Pavlina Konini, kompanisë që menaxhon zonën e “Syrit të Kaltër” e cila do të jepej me qira, qendron mbi tryezën e Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.
Ai është bërë gati pas publikimit në media të njoftimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, ndonëse nuk është firmosur nga ministrja Denaj.
Ndërkohë kjo e fundit ka vendosur të anullojë procesin e dhënies me qira te 470 metrave katrorë tek “Syri i Kaltër” ku ndodhen 5 kabinat e drurit.
ABC News bisedoi me Administratoren e “Albtourist T. O” Pavlina Konini sipas së cilës prej 20 vitesh këto kabina jepeshin me qira me një çmim prej 15 mijë lekë në muaj.
Prej një viti procesi është ndërprerë. Shkak për këtë shpjegon Konini është bërë çmimi i ulët dhe parregullsitë e konstatuara në kontratat e lidhura me kompaninë private.
Ndërkohë kompania “Albtourist T. O” në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ndodhet në vështirësi financiare për t’i menaxhuar.
Prej katër vitesh punonjësve sipas Koninit nuk iu janë paguar pagat dhe prej gjashtë vitesh nuk ju janë derdhur sigurimet.
Në tetor Ministria e Financave dhe Ekonomisë hapi procedurat për ridhënien me qira për dhjetë vjet të pesë kabinave me vlerë minimale 72 mijë e 500 lekë në muaj.
Një proces për të cilin nuk është konsultuar me Agjencinë e Zonave të Mbrojtuar ndonëse edhe këto 470 metra katrorë të “Syrit të Kalter” ashtu si tërësia e tij prej 100 mijë metrash katror janë zonë e mbrojtur nga i cili u tërhoq vetëm pas publikimit në media. /abcnews.al