“Synojmë drejtimin e biznesit nga një dhomë unike”, Ibrahimaj: Regjistrimi duhet të jetë i detyrueshëm, mundësi për zhvillimin e tyre

schedule20:29 - 26 Janar, 2024

schedule 20:29 - 26 Janar, 2024

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe klimën e biznesit, Delina Ibrahimaj, në intervistën për “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, u ndal edhe tek reformimi i sistemit të dhomave. Ajo thotë se duhet të krijohet një dhomë unike me qasje sektoriale dhe rajonale, ku duhet të integrohen bizneset.

Sipas ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, kjo nuk do të thotë se shoqatat e biznesit duhet të pushojnë së ekzistuari por shton se bizneset duhet të kenë detyrimin për t’u regjistruar në këtë dhomë, pasi përveç sfidave që mund të kenë, përfitojnë grante dhe fonde të dedikuara për zhvillimin e tyre.

“Kemi qenë të kujdesshëm që në kuadër të këtij dialogu, që të përfshijmë komunitetin e biznesit që para se të hartojmë draftin, të marrim shqetësimet dhe mendimet e tyre që të dalim me një dokument të konsoliduar. Sistemi aktual i dhomave që operojmë, që është rregulluar me ligj, janë 12 dhoma rajonale dhe një union ndërkohë që ekzistojë shoqata të ndryshme biznesi por, nga ana tjetër, niveli e përfaqësimit është i ulët. Vetëm 10 përqind e bizneseve janë të regjistruara në shoqatat e biznesit.

Nga ana tjetër, duke pasur këtë gamë të gjerë organizatash që përfaqësojnë biznesin është e vështirë dhe për qeverinë që të ketë një kundërpalë që do të bëjë një diskutim mbi një akt ligjor apo reformë pasi ka disa shoqata të ndryshme që përfaqësojnë të njëjtin sektor. Me reformimin e sistemit të dhomave është të krijohet një dhomë me qasje sektoriale dhe rajonale. Nuk do të thotë se shoqatat do të pushojnë së ekzistuari. Synohet që biznesi të jetë i regjistruar në një dhomë unike.

Në botë ka dy modele të përfaqësimit të dhomave, të së drejtës publike dhe private. Në vendet e veriut të Evropës bizneset nuk kanë detyrimin e regjistrimit në sistemin e dhomave ndësa në jug dhe në Evropën qëndrore kanë detyrim për t’u anëtarësuar në sistemin e dhomave. Besoj që për si është konfiguruar sistemi në këtë moment, është e rëndësishme që bizneset të kenë detyrimin për t’u regjistruar në dhomë sepse në shumë raste bizneset nuk janë të vetëdijshëm për sfidat që iu vijnë në momentin e anëtarësimit po as që kanë shumë mundësira për biznesin, grante, projekte, fonde të dedikuara për zhvillimin e tyre.

Na duhet një sistem ku dhomat të kenë kontakte të vazhueshme me të gjithë bizneset në vend për trajtime, mbështetje dhe ofrime shërbimesh. Prandaj duhet të ketë një detyrim për anëtarësimin por ky nuk i përjashton atyre mundësinë për t’u regjistruar qoftë në shoqata sektoriale apo dhoma bilaterale. Do të bëjmë një ligj që nuk i përjashton strukturat ekzistuese, por rregullon aktivitetin e përfaqësimit të biznesit duke integruar strukturën që aktualisht ekziston.“, theksoi Ibrahimaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!