Sylvinho “vulos” formacionin/ Trajneri i ka idetë e qarta, luajmë si në dy sfidat e fundit në “Euro”

schedule12:43 - 5 Shtator, 2024

schedule 12:43 - 5 Shtator, 2024

Deri në nisjen e ndeshjes, ndryshimet nuk përjashtohen. Por deri atehëre Silvinjo duket se e ka të qartë formacionin me të cilin do të zbresë në fushë të shtunën në mbrëmje për sfidën e parë në Ligën e Kombeve kundër Ukrainës.

Ndeshjet e fundit në finalet e “Euro 2024” dhe përgatitjet në grumbullimin në Tiranë, kanë kristalizuar idetë e trajnerit kuqezi për skemën dhe interpretimin e saj.

Porta do t’I besohet edhe një herë Strakoshës, ndërsa përpara tij në mbrojtjen me katër do të rreshtohen Mitaj e Hysaj në krahë dhe Kumbulla me Ismajlin në qendër. Këta të dy të fundit janë një zgjedhje e detyruar, pas dëmtimeve të kapitenit Gjimshiti dhe Ajetit, dyshja e preferuar në “Euro 2024”.

Nuk ndryshon mesi i fushës. Si në dy ndeshjet e fundit në Gjermani, Silvinjo kërkon më shumë ekuilibër. Diga para mbrojtjes do t’i besohet Laçit dhe Ramadanit, ndërsa regjia Kristjan Asllanit.

Kjo gjë sposton në krahun e majtë të sulmit Nedim Bajramim. Ky i fundit, bashkë me Asanin në krahun e djathtë do të ndihmojnë Rey Manaj në majën e repartit ofensiv të skuadrës kuqezi.

Me këtë skuadër, Silvinjo dhe kombëtarja e Shqipërisë do të kërkojnë të nisen me fitore në edicionin e ri të Ligës së Kombeve./abcnews.al