Sylvinho tregon “sekretet” e kualifikimit: Futbolli nuk është lojë individuale, kemi skuadër me “shpirt e zemër”

schedule12:36 - 24 Nëntor, 2023

schedule 12:36 - 24 Nëntor, 2023

Atë çka shumë trajner nuk e bënë dot dhe De Biasi e bëri për 1 vit e gjysmë, Sylvinho arriti ta realizontë në 8 përballjet e tij të para, nën drejtimin e Kombëtares “kuqezi”, duke na kaluar në një “grup ferri”, në fazën finale të Kampionatit Evropian të futbollit, për herë të dytë në historinë e futbollit shqiptar.

Në një intervistë për Eurosport, “mister” Sylvinho është shprehur se po kalon një nga momentet më të bukura në karrierë, si trajner, me “legjionarët” tanë, teksa kujtojmë se, si futbollit, braziliani ka arritur të fitojë dy herë trofeun e UEFA Champions League, gjatë kohës kur luante me “katalanasit” e Barcelona.

“Kjo është një ëndërr për mua. Nëse dikush do të më pyeste një apo dy vite më parë: a do të shkosh te Shqipëria? Unë do i përgjigjesha: nuk e di. Dua të them është se kur je trajner, ose dhe lojtar, gjërat ndodhin shumë shpejt. Preferoj të përjetoj momentin. Objektivi ynë është të përgatitim ekipin kombëtar për 6-7 muajt e ardhshëm”,- thekson Sylvinho.

Më tej gjatë intervistës, “strategu” brazilian tregoi më shumë edhe për stilin e tij të punës, në udhëheqjen e skuadrave, ku tregoi se bazohet më shumë te marrëdhënia e ngushtë me futbollistët dhe kominukimi i drejtpërdrejtë me këta të fundit.

“Unë besoj shumë te marrëdhënia me lojtarët. Është ndryshe kur në mes futet një përkthyes, është ndryshe kur flet me zemër dhe i sheh djemtë në sy. Gjithashtu ka shumë rëndësi të flasësh me lojtarë të caktuar, por më e rëndësishmja është zemra dhe shpirti që ke në skuadër.

Pa këto nuk mund të luash. Mund të jesh futbollist i madh, mund të jesh ndryshe dhe i veçantë, por nëse nuk ke frymën dhe shpirtin e grupit, ti nuk mund të arrish objektivin. Futbolli nuk është një lojë individuale”,- tha “numri 1” i pankinës së Shqipërisë. /i.m /abcnews.al