Superiorja e mbylli gjysmën e parë të sezonit dje, ndërkohë që në fundjavë janw programuar të zhvillohen takimet e para të fazës së tretë. Gjithçka nis nga Korça, aty ku Skënderbeu ka mundësinë të ushtrojë presion ndaj ekipeve që luftojnë për Europën. Këtë mund të bëjë vetëm përmes një fitoreje ndaj Flamurtarit, në një takim që nis prej orës 14:00.
Tri orë më pas, në “Loro Boriçi” Vllaznia ka një ndeshje delikate dhe ndaj një ekip që do Europën. Laçi i Armando Cungut vihet përballë kuqebluve nga ora 17:00, ndërkohë që të dielën oraret e ndeshjeve janë të tjera. Dy takimet e para luhen prej orës 16:00.
Teuta, pas humbjes në shtëpi me Laçin, këtë herë pret Bylisin rival direkt dhe me çdo kusht i duhet të fitojë. Ballshiotët kanë treguar që janë një “kockë” e fortë dhe pritet të jetë një ndeshje e luftuar. Takimi tjetër që luhet në të njëjtin orar është ai mes Tiranës dhe Luftëtarit. Bardheblutë do kërkojnë fitoren e pestë radhazi.
Bluzinjtë treguan me Kukësin që mund t’i hapin probleme kujtdo dhe me siguri 24 herë kampionët e vendit nuk do të kenë ndërmend t’i nënvlerësojnë. Në mbrëmje luhet takimi i fundit i javës së 19-të të Superiores.
“Air Albania Stadium” do të marrë skenën, ndërkohë që në fushë zbresin Kukësi dhe Partizani prej orës 19:00. Rezultatet e fundit i kanë futur të dyja ekipet nën presion dhe gjasat janë që të kemi një betejë trajnerësh, që së pari do të mendojnë të mos humbin. /abcnews.al