Superliga mund të nisë në 24 Gusht

schedule17:15 - 2 Korrik, 2019

schedule 17:15 - 2 Korrik, 2019

Sezoni i ri i Superligës mund të nisë në 24 gusht. Ky është propozimi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa pritet vendimi i Komitetit Ekzekutiv.

Pritet të fillojë një javë më vonë se vjet. Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur për datën 24 Gusht si startin e Superligës, diçka që do të bëhet zyrtare vetëm pas miratimit nga ana e Komitetit Ekzekutiv, që mblidhet këtë të premte.

Shefi i Sektorit të Garave në Federatë, Lysien Nurishmi, e pohoi këtë vendim, në një komunikim telefonik me ABC News-in, ndërsa më parë është marrë mendimi i klubeve. Çdo klub duhet të ketë gati infrastrukturën për t’u licencuar në sezonin e ri, por besohet se me rënien e Kastriotit, problemet duhet të jenë më të pakta.

Gjithsesi, ekziston frika se mund të ketë shqetësime me dhunën e tifozëve, siç ndodhi në ndeshjen e parë të sezonit të kaluar, mes Skënderbeut e Partizanit në Korçë, për shkak të tërheqjes së Policisë së Shtetit jashtë rrethimit të jashtëm të stadiumeve.

Një tjetër propozim i Sektorit të Garave për Komitetin Ekzekutiv është që sezoni të mos nisë, sipas traditës, me Superkupën e Shqipërisë, ndërsa mendohet që finalja Partizani-Kukësi të luhet në Dhjetor ose Janar të vitit të ardhshëm.

Komiteti Ekzekutiv, të premten, duhet të vendosë edhe për datën e fillimit të kampionateve të tjerë, si të Kategorisë së Parë, të së Dytës, të femrave dhe të moshave U17 e U19. Pritet, ndërkohë, të propozohet formulë tjetër për Kategorinë e Parë./ABC News Albania 24/7