Bashkimi Shqipëri-Kosovë nis nga sporti, edhe volejbolli me trofe mbarëkombëtar

schedule20:12 - 11 Shtator, 2020

schedule 20:12 - 11 Shtator, 2020

Basketbolli hodhi hapin i pari për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Federatat e dy shteteve shqiptare arritën akordin e krijimit të Ligës Unike, që u konkretizua ditën e djeshme në një marrëveshje historike për kombin tonë midis Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Marrëveshjen e nënshkruan Avni Ponari, presidenti i FSHB, Arben Fetahu, presidenti i FBK, nën praninë e dy ministrave të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të dy shteteve tona, Besa Shahinit dhe Vlora Dumoshit, teksa i pranishëm ishte edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë.

Konkretizimi i nismës fantastike ka krijuar entuziazëm te tifozët, ndërsa bashkimin e radhës do ta sjellë volejbolli, lajm që e konfirmon Federata Shqiptare e Volejbollit me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”.

“SUPERKUPA MBARËKOMBËTARE E VOLEJBOLLIT. Pas një takimi informal, të mbajtur të martën në mbrëmje në Durrës, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe ata të Federatës së Volejbollit të Kosovës, kanë finalizuar hollësitë e marrëveshjes së arritur në shkurt të këtij viti, për organizimin e Superkupës Mbarëkombëtare të Volejbollit.

Kjo Superkupë do të organizohet si midis kampiones së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si për femra, ashtu edhe meshkuj, por edhe midis fitueses së Kupës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të dyja gjinitë. Kjo Superkupë Mbarëkombëtare do të zhvillohet në hapësirat midis fazave të kampionateve përkatëse, ndërsa datat e sakta do të zyrtarizohen në javët në vijim”, shkruan FSHV. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!