Shqipëria u ngjit në Ligën B në Nations League dhe në emisionin “Pressing” në ABC ishte tema kryesore e diskutimit. Mes të tjerave u fol edhe për afrimet nga Superiorja në kombëtare. Ervin Bulku, i cili është pjesë e stafit teknikt të italianit Reja, theksoi se gjithmonë kampionati ynë ka qenë në fokus.
“Gjithmonë e kemi pasur kokën nga Superiorja. Ka pasur gjithmonë lojtarë. Edhe unë kur kam qenë pjesë e kampionatit më kanë marrë. Edhe me Panuçin e De Biasin ka qenë në fokus. Projekti nuk është i nisur tani. Ka edhe shumë lojtarë që kanë kaluar nga ekipet zinxhirë të kombëtareve”, u shpreh Bulku.
Shpëtim Duro, i cili në të shkuarën ka qenë pjesë e stafit të kombëtares kur drejtohej nga Oto Baric, u shpreh se Bulku duhet ta shtyjë teknikun Reja që të shohë lojtarët e kampionatit tonë.
“Bulku duhet ta adresojë trajnerin drejt lojtarëve të Superiores”, tha fillimisht Duro, i cili kujtoi rastin e vetë Bulkut. “Insistova unë që Ervini erdhi kundër Holandës. E pa trajneri dy ndeshje dhe e pëlqeu. Doli çun pastaj (Qesh)”, shtoi Duro. /abcnews.al