FSHF vendosi sot që Superiorja të vazhdojë garimin, por pa praninë e publikut. Një vendim i detyruar, për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit edhe më shumë në vendin tonë. Pasi u vendos të luhej, tashmë është përcaktuar edhe plani i ndeshjeve të javës së 27-të të Superiores.
Të premten zbresin në fushë dy ekipet kryesuese të kampionatit, Tirana dhe Kukësi. Bardheblutë kanë një transfertë të vështirë në Ballsh, ndaj vendasve të Bylisit që nuk kanë arritur akoma të fitojnë këtë vit në kampionat. Presioni është tek ata dhe skuadra e Egbo do mundohet ta shfrytëzojë.
Kukësi, i shkëputur tashmë nëntë pikë nga Tirana, pret skuadrën e Luftëtarit. Gjirokastritët i kanë ndaluar njëherë verilindorët dhe do mundohen ta bëjnë sërish të njëjtën gjë. Këtë herë skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi nuk i falet hap fals.
Të shtunën zhvillohen takimet e tjera dhe skuadrat që duan Europën përballen mes tyre. Laçi pret Teutën dhe në shtëpi vetëm fitorja u bën punë ndaj rivalëve direkt. Vllaznia ka mundësinë të afrohet me ekipet sipër, nëse në Vlorë kundër Flamurtarit merr tre pikët.
Kjo javë e Superiores mbyllet në kryeqytet. Partizani, që u mposht edhe nga Vllaznia, pret Skënderbeun. Korçarët mundën dje Kukësin dhe janë barazuar me pikë me Laçin e vendit të tretë. Edhe ndaj të kuqve duan pikë, por sigurisht Partizani nuk mund t’ia lejojë vetes asnjë rezultat tjetër veç fitores kundër Skënderbeut. / abcnews.al