Superiorja do ndihmë, Tagani: Nuk ka detyrime shteti, përgjegjësinë e ka UEFA

schedule09:56 - 29 Mars, 2020

schedule 09:56 - 29 Mars, 2020

Klubet e Superligës shqiptare i dërgojnë kërkesë kryeministrit Rama për t’i ndihmuar në periudhën e krizës nga koronavirusi. Gjithsesi, vështirë se qeveria mund t’i ndihmojë për rrogat e lojtarëve dhe favori i vetëm mund të jetë ulja e detyrimeve tatimore ndaj shtetit.

Drama tek ne nuk është si në Angli, Spanjë, Itali apo Gjermani. Gjithsesi, edhe në Superligën shqiptare ekziston problemi financiar për shkak të ndërprerjes së aktivitetit sportiv, ndërsa ka kontrata për t’u paguar.

Dhjetë klubet e elitës i kanë dërguar një kërkesë qeverisë, ku i kërkojnë ndihmë për pagat e lojtarëve e të stafeve teknike. Në këtë dokument, të përpiluar dhe firmosur në emër të klubeve nga presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, arsyetohet se klubet shqiptarë kryesisht financohen nga bizneset e aksionarëve të tyre, biznese që janë në vështirësi për shkak të krizës.

 

Kërkesa e Ligës Profesioniste të Futbollit

Për këtë arsye, kërkohet ndihmë bazuar edhe në shpalljen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore nga ana e kryeministrit Rama. Buxhetet e klubeve në Superligë shkojnë nga 500 000 deri në 1 milionë euro, në një sezon, dhe kuptohet që ndihma nuk mund të jetë për gjithë vitin, por të themi për dy muaj.

Gjithsesi, ish-administratori i Tiranës, Salih Tagani, sqaroi në linjë telefonike për ABC News, se nuk ka detyrim ligjor nga shteti për të ndihmuar klubet, sidomos për këto shifra. Tagani beson se drejtuesit e klubeve synojnë të përfitojnë ulje të detyrimeve tatimore të bizneseve të tyre private nga ana e shtetit.

Ndihma kryesore për klubet shqiptare, sipas ish-administratorit të Tiranës, mund të vijë nga FIFA dhe UEFA, që kanë përgjegjësi direkte për Federatat anëtare, rrjedhimisht edhe për klubet e tyre. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!