Superiorja dhe e Para: Ditë betejash, sytë në Elbasan, Laç dhe Lezhë

schedule08:14 - 21 Mars, 2021

schedule 08:14 - 21 Mars, 2021

Superiorja rikthehet sot me duele mjaft të rëndësishme, ndërkohë luhen tre ndeshje edhe në Kategorinë e Parë.  Partizani-Teuta veçohet nga të tjerat dhe do të zhvillohet prej orës 16:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Të kuqtë, me inatin e eliminimit nga Kupa dhe lodhjen e akumuluar në 120 minuta, do tentojnë të mposhtin durrsakët rivalë për titull.

Për t’u parë edhe dueli i Laçit kryesues në shtëpi. Skuadra e Shpëtim Duros duhet të rigjenerojë energjitë dhe të përballet me Tiranën e “plagosur” në derbi, por të freskët fizikisht. Bardheblutë kanë fituar edhe më parë në Laç, ndaj pritet një duel i fortë.

Vllaznia luan në transfertë, kundër Kastriotit që ndali javën e shkuar Teutën. Krutanët duan të sigurojnë mbijetesën sa më shpejt, kurse skuadra e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric  të rikthehet te fitorja që mungon prej javësh.

Bylisi, pas fitores në Shkodër, do tentojë të mundë në Ballsh Kukësin e “trullosur” nga eliminimi në Kupën e Shqipërisë. Këtë javë luhet edhe një finale mbijetese, mes Apolonisë dhe Skënderbeut. Barazimi nuk vlen për asnjërën skuadër, nisur nga diferenca me Bylisin e vendit të tetë.

 

Në Kategorinë e Parë ndeshja më e rëndësishme zhvillohet në Lezhë, aty ku Besëlidhja kërkon të reagojë kundër Dinamos. Blutë synojnë tre pikët për të rimarrë vendin e parë, pasi një ditë më parë Burreli mori pikët e plota në shtëpi.

 

Vora-Veleçiku është dueli tjetër i grupit A, kurse në grupin B është programuar një ndeshje derbi. Elbasani përballet me Turbinën, në kërkim të pikëve të para në këtë sezon të Kategorisë së Parë. / abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!