Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, reagoi pas sulmit ndaj ambulancave në Rripin e Gazës. Ai tha se është “tmerrësisht i shokuar” nga kjo ngjarje.
“E themi sërish: pacientët, personeli mjekësor, ndërtesat dhe ambulancat duhet të mbrohen në çdo kohë. Gjithmonë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së në një postim në platformën X.
Koordinatorja humanitare e OKB-së për territoret e pushtuara palestineze, Lynne Hastings, shprehu gjithashtu shqetësimin e thellë se sulmi kishte në shënjestër “pacientët që po evakuoheshin për sigurinë e tyre”.
Sipas kreut të zyrës së shtypit të qeverisë së Hamasit, ai kishte në shënjestër “një autokolonë ambulance që po përgatitej të transportonte të plagosurit nga spitali Al Shifa” në kufirin me Egjiptin.
Pamjet e transmetuara nga televizioni AFP tregojnë civilë që mbajnë të plagosur të gjakosur. Të plagosur të tjerë janë përtokë me sa duket nga vala goditëse mbi makinat e parkuara në anë të rrugës.
Ministria e shëndetësisë e Hamasit tha se 16 nga 35 spitalet e Gazës janë vënë jashtë funksionit, ose për shkak se u bombarduan ose për shkak se u mbaruan karburantet për gjeneratorët e tyre. Sipas OBSH-së, shkalla e zënies së shtretërve në spitalin Al Shifa është 164%.