Sulmi në Kanada, 10 të vdekur/Autori merret në pyetje

schedule09:14 - 24 Prill, 2018

schedule 09:14 - 24 Prill, 2018

10 persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën për shkak të një sulmi me furgon në një rrugë këmbësorësh. Autoritetet, që arrestuan menjëherë autorin, vijojnë hetimet dhe nuk përjashtojnë pistën e terrorizmit.

Masakër në Toronto të Kanadasë, në rrugën më të njohur të qytetit, “Yong Street”, pikërisht ndërsa po zhvillohej mbledhja e ministrave të brendshëm të G7-ës. Bilanci është tepër tragjik, 10 persona të vdekur dhe 15 të tjerë të plagosur, të goditur nga një furgon i bardhë që kishte hyrë në një pedonale dhe përplasi këmbësorët për 2 kilometra. “Ishte një akt i qëllimshëm”, e ka përkufizuar policia ngjarjen duke mos treguar qartësisht motivin e këtij sulmi, për të cilin nuk përjashtohet dhe pista e terrorizmit. Megjithatë hipoteza më e mundshme, e raportuar dhe nga mediat lokale, është ajo e një “veprimi çmendurie”.

Autori i masakrës është një student 25-vjeçar me origjinë armene, Alek Minassian, resident në një lagje të Torontos, i cili është arrestuar menjëherë pas një arratisje që zgjati disa minuta. Sulmi ka ndodhur të hënën pak kilometra ku qëndronin ministrant e G7-ës. Autoritetet vijojnë hetimet për këtë ngjarje dhe kanë marrë në pyetje autorin. Mësohet se furgoni ishte marrë me qera. “Më vrit. Më qëllo në kokë”, i ka thënë 25-vjeçari policisë duke këmbëngulur që të qëllohej dhe duke kërcënuar se posedon një armë. Por agjenti, i cili u përgëzua për veprimin e tij, nuk qëlloi ndaj autorit por i kërkoi që të mos lëvizë.

Ndërkohë, kryeministri kanadez, Justin Trudeau ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave dhe ka falenderuar forcat e rendit që morën pjesë në operacion. “Po monitorojmë situatën nga afër dhe do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet pa hezimit”, nënvizoi ai. SHBA, Meksika, BE dhe shumë vende të tjera kanë shprehur ngushëllimet e tyre dhe mbështetje për Kanadanë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!