Shqipëria ka dënuar njëzëri sulmin mbi kanalin Ibër- Lebenic, që synonte shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës.
Në një reagim në rrjetin social X, kryeministri Edi Rama shkruan se ky akt kriminal cënon jetën e qytetarëve dhe duhet ndëshkuar me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje Bashkimit Europian që të heqin sanksionet ndaj Kosovës dhe të riangazhohen për një format të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”.
Ky sulm u dënua edhe nga presidenti Bajram Begaj, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me homologen, Vjosa Osmani.
“Mbështes fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”.
Ky akt u dënua edhe nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila thekson se frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtij sulmi duhet të marrin dënimin e merituar./abcnews.al