Sulmi ndaj impianteve saudite të naftës, SHBA provon se ka qenë Irani

schedule20:20 - 16 Shtator, 2019

schedule 20:20 - 16 Shtator, 2019

Shtetet e Bashkuara kanë publikuar provat që sipas tyre tregojnë se sulmet ndaj rafinerive saudite të naftës janë kryer nga Irani. Administrata amerikane ka publikuar foto satelitore dhe trajektoren e sulmeve, të cilat tregojnë se ato janë nisur nga Republika Islamike.

Zyrtarë në Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një seri pamjesh satelitore dhe kanë cituar burime pranë shërbimeve të inteligjencës për të mbështetur pistën e tyre se prapa sulmit ndaj rafinerive saudite të naftës qëndron Irani.

Në kushte anonimati, zyrtarët kanë deklaruar se në rafineritë e goditura janë konstatuar 19 pika impakti, të cilat sugjerojnë se sulmet kanë ardhur nga një drejtim veri-perëndimor dhe jo nga zonat e kontrolluara nga rebelët Huthi, që ndodhen në jug-perëndim të impianteve saudite.

Zyrtarët kanë shtuar se të dhënat në fjalë sugjerojnë se sulmi mund të jetë kryer nga Irani ose nga Iraku.

Nga ana e tij, Iraku ka mohuar që dronët që kryen sulmet të jenë nisur nga territori i tij.

Kryeministri Adel Abdul Madi deklaroi se sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo e kishte siguruar përmes një telefonate se Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë dyshim tek qeveria e Bagdadit.

Më herët edhe qeveria iraniane, përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme mohoi çdo përgjegjësi.

Ndërkohë, autoritete të cituara nga “Nju Jork Tajms” kanë deklaruar se përveç dronëve në sulm janë përdorur edhe raketa “Kruis”, por jo të gjitha i kanë goditur objektivat në impiantet në Abkaik dhe Kurais./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!