Sulmi ndaj anijes shqiptare në ’75-ën/ Meçollari: Jugosllavia donte të krijonte një precedent që të arrinte objektivin e saj

schedule20:55 - 29 Nëntor, 2023

schedule 20:55 - 29 Nëntor, 2023

Në emisionin “Real Story” u transmetua një dokumentar, i përgatitur nga gazetari Ferdinand Dervishi, për sulmin ndaj anijes shqiptare nga Jugosllavia në vitin 1975. Ish komandanti i flotës detare, kapiteni Artur Meçollari, i ftuar në emision, komentoi edhe arsyet e mundshme të sulmit nga ana jugosllave.

Ai theksoi se krijimi i ishullit pa emër në derdhjen e lumit Buna krijoi një precedent për arritjen e një marrëveshje mbi vijën delimituese të detit mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Sipas tij, pala jugosllave donte që të arrinte që i gjithë vija delimituese mes vendeve të ndahej sipas marrëveshjes së 1927-ës.

“Ka pasur një çështje të hapur. Fillon nga fundi i viteve 60, krijimi i ishullit pa emër në derdhjen e lumit Buna, krijoi një precedent për arritjen e një marrëveshje mbi vijën delimituese të detit territorial. Shqipëria dhe Jugosllavia kanë një vijë delimituese, ajo e 1927-ës por në atë kohë, vija përfshinte deri në tre milje. Pas viteve ’60, kemi Konventën e parë të Montegobeit që e çoi gjerësinë e detit territorial në 12 milje. Pra do të thotë ose do të zbatohet 1927, që ne humbasin shumë, ose parimet e ’58 dhe më pas ’82 në lidhje me këtë çështje.

Pas krijimit të ishullit pa emër, u ngrit një komision dy palësh për përcaktimin e vijës delimituese. Pala shqiptare bëri një gabim teknik në këtë komision, duke e marrë marrëveshjen e 1927-ës dhe duke e shtrirë deri në 12 milje detare. Kjo krijon një humbje për Shqipërinë rreth 128 km katror dhe më pas u tërhoq nga marrëveshja. Pala jugosllave donte të krijonte një precedent që të arrinin përsëri në marrëveshjen e fund të viteve ’60. Donte që të arrinte objektivin e saj që i gjithë deti territorial midis dy vendeve, vija delimituese të ndahej sipas marrëveshjes së 1927-ës. Pikërisht ngjarja e peshkatores ka ndodhur në kufi të vijës delimituese të vitit 1927.”, u shpreh ai.

Ai thotë se sulmi u bë me pretendimin se peshkarexha shqiptare, sipas marrëveshjes së ’27-ës ishte në ujërat territoriale të Jugosllavisë. Por, kapiteni thotë se pala jugosllave kishte bërë një gabim në llogaritje pasi komisionet verifikuan se peshkarexha ishte në kufi brenda detit territorial të Shqipërisë./abcnews.al