Sulmi me armë kimike, Rusia mohon akuzat për prishjen e provave

schedule17:59 - 16 Prill, 2018

schedule 17:59 - 16 Prill, 2018

Rusia ka mohuar akuzat për ndërhyrje në Duma të Sirisë, me qëllim prishjen e provave në vendin ku u krye sulmi i supozuar me armë kimike. Në një intervistë për BBC, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov ka dhënë garancinë e tij se Moska nuk e ka prekur vendin e ngjarjes. Shqetësimet për diçka të tillë u ngritën nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara në Organizatën ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike, në një kohë kur inspektorët e saj ende nuk kanë arritur në zonën e ndodhur në afërsi të Damaskut. Por shefi i diplomacisë ruse mohon ndërhyrjen dhe madje përdorimin e armëve kimike në Duma.

“Nuk dua të tregohem i paedukatë ndaj liderëve të vendeve të tjera, por ju cituat ata të Francës, Britanisë dhe Amerikës dhe nëse më duhet të flas hapur, të tre ata cituan si prova çka thuhej në media apo në rrjetet sociale”, i është përgjigjur Lavrov interesit të BBC.

Për ministrin rus, ajo që ndodhi nuk është ashtu siç duket. “Ajo që ndodhi në Duma ishte diçka e sajuar”, ka shtuar Lavrov. Për të përforcuar hipotezën e tij, ministri i Jashtëm ka shtruar pyetjen: përse Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca i kryen sulmet e tyre para se inspektorët e Organizatës ndërkombëtare të mbërrinin në Duma për të vizituar vendin e ngjarjes.

Duma, një qytet që deri ditën e sulmit, më 7 prill, ishte bastion i rebelëve aktualisht kontrollohet nga trupat qeveritare siriane dhe ushtria ruse. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!