Zyrtarët amerikanë besojnë se pas dy sulmeve kamikaze pranë aeroportit të Kabulit qëndron ISIS, megjithatë, shtohet se vijon ende puna për të konfirmuar nëse grupi terrorist ka gisht në këtë sulm.
CNN raporton se mund të duhen disa orë përpara se zyrtarët e SHBA të kenë mundësinë që të identifikojnë personat që janë përgjegjës për dy sulmet.
Nga terreni, sipas burimeve të CNN, ka pasur sinjale paralajmëruese që tre ditë më parë. Përgjatë javës, presidenti amerikan Joe Biden dhe Pentagoni kanë paralajmëruar për sulme të mundshme terroriste nga ky grup ekstremist.
SHBA beson se ISIS-K, që është një armik i betuar i talebanëve, do që të krijojë kaos në aeroport dhe ka burime të inteligjencës që sugjerojnë se është i aftë dhe planifikon të kryejë sulme të shumta, sipas CNN.
Ndërkohë, Pentagoni konfirmon ” një numër” anëtarësh të shërbimit amerikan të vrarë në shpërthimet e Kabulit. Si pasojë e sulmeve të paktën 13 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. /abcnews.al/

