Sulmi kibernetik nga Irani, reagon BE: Po monitorojmë situatën, jemi krah Shqipërisë

schedule21:23 - 8 Shtator, 2022

schedule 21:23 - 8 Shtator, 2022

Bashkimi Evropian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë. BE dënon “një sjellje të tillë të papranueshme në hapësirën kibernetike, e cila bie ndesh me normat e pranuara të sjelljes së përgjegjshme të shtetit, mbështetur në mënyrë të përsëritur nga të gjitha Shtetet Anëtare të OKB-së.”

Po ashtu, BE thotë se po monitoron situatën dhe shpreh gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë.

Deklarata:

Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, shpreh solidaritet të plotë me Shqipërinë dhe shqetësim pas aktiviteteve keqdashëse kibernetike të korrikut. Sulmi shënjestroi drejtpërdrejt infrastrukturën kritike dhe ndikoi në ofrimin e shërbimeve publike për njerëzit dhe bizneset në Shqipëri. Ne dënojmë fuqimisht një sjellje të tillë të papranueshme në hapësirën kibernetike, e cila bie ndesh me normat e pranuara të sjelljes së përgjegjshme të shtetit, mbështetur në mënyrë të përsëritur nga të gjitha Shtetet Anëtare të OKB-së.

Një sjellje e tillë destabilizuese dhe e papërgjegjshme që synon të kërcënojë integritetin dhe sigurinë e Shqipërisë, vlerat dhe parimet demokratike, si dhe tenton të minojë institucionet demokratike dhe shoqëritë në përgjithësi, është e papranueshme.

Bashkimi Evropian, së bashku me NATO-n dhe partnerët e tij ndërkombëtarë, është i gatshëm të mbështesë qëndrueshmërinë kibernetike të Shqipërisë mbështetur në bashkëpunimin tonë ekzistues për sigurinë kibernetike.

Në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike dhe Busullën Strategjike, Bashkimi Evropian është i vendosur të parandalojë sulmet kibernetike përmes qëndrueshmërisë së shtuar dhe duke iu përgjigjur me vendosmëri sulmeve kibernetike kundër BE-së dhe Shteteve Anëtare, si dhe është i përkushtuar të ndihmojë për ndërtimin e qëndrueshmërisë së sigurisë kibernetike në vendet kandidate dhe në vende të tjera, duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme të BE-së. Ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën me kujdes dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, aty ku është e nevojshme, për të mbështetur Shqipërinë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!