Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, Finlanda drejt anëtarësimit në NATO

schedule13:02 - 9 Prill, 2022

schedule 13:02 - 9 Prill, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Edhe pse trupat ruse vazhdonin të grumbulloheshin në kufijtë e Ukrainës në janar, Sanna Marin, kryeministrja e Finlandës, këmbënguli se ishte e pamundur që vendi i saj të bashkohej me NATO-n gjatë kohës së saj në detyrë.

Më pak se tre muaj, Finlanda po shkon drejt anëtarësimit të NATO-s.  Më 2 prill, Marin u tha finlandezëve se vendi do të duhej të merrte një vendim këtë pranverë. Siç shpjegoi ajo, “Rusia nuk është fqinji që menduam se ishte.”

Finlanda, pas dy luftërave të rënda me Bashkimin Sovjetik, dhe ndryshe nga pjesa më e madhe e Europës Lindore,  ruajti pavarësinë dhe demokracinë e saj gjatë luftës së ftohtë. Çmimi për ta bërë këtë ishte neutraliteti. Finlanda bleu armë nga Lindja dhe Perëndimi, por qëndroi jashtë aleancave. Kjo marrëveshje dhe mënyra në të cilën presioni sovjetik shtrembëroi politikën e brendshme të Finlandës, u bë e njohur me termin poshtërues “Finlandizimi”.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Finlanda, së bashku me Suedinë, u përpoqën të ishin pjesë e Bashkimit Europian. Dhe pas pushtimit rus të Ukrainës në 2014, të dy vendet intensifikuan stërvitjet e përbashkëta dhe bashkëpunuan në pika të ndryshme me NATO-n, raporton abcnews.al

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tani ka përmbysur çdo gjë. Në vitin 2019 pak më shumë se gjysma e finlandezëve ishin kundër anëtarësimit në NATO. Më 28 shkurt, katër ditë pas pushtimit, shumica e tyre ishin pro anëtarësimit në aleancë.

Në sondazhin e fundit me 30 mars,  61% ishin  pro, 16% kundër dhe 23% të pavendosur. Kjo përfshin shumicën midis mbështetësve të të gjitha partive, përveç Aleancës së Majtë. Dhe nëse Sauli Niinisto, presidenti i Finlandës, do të jepte miratimin e tij zyrtar, mbështetja do të rritej edhe më shumë.

Si Marin ashtu edhe Niinisto po heshtin për momentin, për të lejuar zhvillimin e një procesi politik.

“Prilli, maji dhe qershori janë muaj të rëndësishëm  dhe në shumë mënyra historikë në Finlandë”, sipas Henri Vanhanen, një ekspert i politikës së jashtme dhe këshilltar i partisë Kokoomus të qendrës së djathtë.

Me 14 prill do të publikohet një raport, në të cilin do të përcaktohen ndryshimet në pozicionin e sigurisë së Finlandës që nga pushtimi rus. Më pas Parlamenti do të diskutojë në lidhje më këtë çeshtje. Pas kësaj, pritet një raport i dytë në lidhje me anëtarësimin e vendit në NATO.

Një grup i posaçëm monitorues parlamentar, i përbërë nga drejtues partish dhe kryetarë komisionesh, pritet të luajë një rol kyç në sinjalizimin e konsensusit politik. Vendimi përfundimtar i mbetet parlamentit, megjithëse nëse do t’i duhet një shumicë prej dy të tretash të parlamentit.

Gjithsesi vendimi pritet të merret përpara samitit të NATO-s në Madrid në 29 qershor dhe ndoshta në fillim të majit Dy partitë kryesore qeverisëse, Dy partitë kryesore në vend vjanë të ndarë për sa i përket anëtarësimi të NATO-s.

Por  partitë po arrijnë në një konsensus: nga 200 ligjvënës, 96 janë tani në favor të anëtarësimit dhe vetëm 14 kundër. Për Finlandën, e cila shmang ndryshimet dramatike, kjo është diçka që po ndodh shumë shpejtë.

Më 12 mars, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se anëtarësimi i Finlandës  do të kishte “pasoja të rënda ushtarake dhe politike”, duke përfshirë “masa hakmarrëse”. Më 8 prill, një avion rus thuhet se shkeli hapësirën ajrore finlandeze dhe websitet e ministrive të jashtme dhe të mbrojtjes të vendit u goditën nga sulme të vrazhda kibernetike, raporton abcnews.al.

Për të kufizuar mundësitë për ndërhyrjen ruse, Niinisto tha se nuk do të jetë i nevojshëm  një referendum kombëtar për NATO-n. Sapo të disktutohet diçka e tillë, Finlanda do të ishte më e cenueshme dhe subjekt i zemërimit të Rusisë.

Më 3 prill, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, tha se anëtarësimi i Suedisë ose Finlandës mund të  realizohet shumë shpejtë. Askush, madje as qeveria pro-Putin e Viktor Orban në Hungari, nuk pritet të vendosë veton ndaj saj.

Stoltenberg ka lënë të kuptohet gjithashtu për garancitë e përkohshme të sigurisë. Ai ishte i sigurt kur tha se do të gjejmë mënyra për të adresuar shqetësimet, në lidhje me periudhën midis aplikimit të mundshëm dhe ratifikimit përfundimtar”.

Në praktikë, integrimi i secilit prej vendeve nuk do të ishte i vështirë. Vanhanen ka deklaruar se zyrtarët e NATO-s i kanë thënë atij se Finlanda është e e aftë për të kryer operacione të përbashkëta së bashku me aleatët e tjerë  më shumë sesa disa vende të cilat janë anëtare aktualisht.

Një procedurë e veçantë e krijuar në vitin 2014 dhe që u aktivizua për herë të parë pas pushtimit të Rusisë do të thotë që të dërguarit finlandez dhe suedez tani mund të marrin pjesë në Këshillin e Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i aleancës, për çdo takim që lidhet me krizën.

Anders Fogh Rasmussen, paraardhësi i Stoltenberg, ka deklaruar se aplikimi për të qenë pjesë e NATO-s mund të miratohet brenda natës. Megjithatë, në Suedi, debati për anëtarësimin në NATO po ecën me ritme të ngadalta. Partia kryesore qeverisëse e Suedisë, Social Demokratët, janë kundër anëtarësimit në NATO.

Me 8 mars Magdalena Andersson, kryeministrja, tha se një ofertë për anëtarësimin në NATO do të “destabilizonte situatën aktuale të sigurisë në Europë”. Megjithatë,  shumica parlamentare e vendit është në favor të NATO-s që nga dhjetori 2020.

Sondazhi i fundit, më 1 prill, tregoi gjithashtu një shumicë të popullit (51%) në favor për herë të parë, nga 42% në janar; opozita ra nga 37% në 27%.  Në të kaluarën, suedezët shqetësoheshin se një ofertë e vetme e NATO-s do ta rrezikonte më shumë Finlandën.

Forcat e armatosura të dy vendeve kanë kryer stërvitje të përbashkëta gjatë viteve të fundit. Është shumë normale që Finlanda kërkon të anëtarësohet më shpejt në NATO, sipas Carl Bildt, një ish-kryeministër suedez, duke pasur parasysh problemet e saj me Rusinë:

“Ata kanë një traditë të mendojnë më thellë për çështjet e sigurisë se ne, për arsye mjaft të qarta.”

“Për mua është e paimagjinueshme që ne të përfundojmë në një situatë ku të dy vendet arrijnë në përfundime të ndryshme”.

Sigurisht kjo ka vështirësi për të dyja palët. Një vend që ka pasur marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë për 74 vite do të përballet me një nivel të ri dhe të qëndrueshëm kërcënimi, siç paralajmëroi Niinisto. Por Rusia, gjithashtu, do të duhet të rishqyrtojë sigurinë e Gjirit të Finlandës dhe porteve strategjike rreth Murmanskut.

Ironia qëndron se një luftë e nisur nga Vladimir Putin gjoja për të mbajtur larg Ukrainën nga NATO, duket se do të bashkojë  aleancën më shumë se kurrë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!