Sulmi i Izraelit ndaj Iranit/ Ekspertët: Përgjigjia ishte e kalkuluar për të mos krijuar interferencë me zgjedhjet në SHBA

schedule21:25 - 28 Tetor, 2024

schedule 21:25 - 28 Tetor, 2024

Përgjigjia e Izraelit ndaj Iranit për sulmin e 1 Tetorit u komentua në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji. Analistët dhe ekspertët ushtarakë thonë se përgjigjia e Izraelit ishte e “kalkuluar” për të mos shkaktuar përshkallëzim në rajon, pasi do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në zgjedhjet në SHBA.

Kapiteni Dritan Goxhaj deklaroi se izraelitët iu bindën kërkesës së SHBA për të mos goditur objektivat strategjikë të Iranit, për të mos provokuar reagim të ashpër, për shkak të zgjedhjeve presidenciale.

Eksperti i gjeopolitikës, Kreshnik Osmani tha se “Izraeli bëri hakmarrje estetike, gjysmë gjeopolitike dhe ushtarake” ndërkohë që edhe kapiteni Artur Meçollari argumentoi se përgjigjia izraelite ishte e kalkuluar.

Pjesë nga diskutimi:

Dritan Goxhaj: Izraelitët janë duke gënjyer për numrin e madh të raketave dhe avionëve që kanë përdorur kurse iraniaët janë duke gënjyer për dëmet që kanë ndodhur, pavarësisht se nuk ka dëme në objektiva strategjikë. Unë mendoj se ishte pjesërisht e suksesshme, 40 përqind e suksesshme, 60 përqind e qëllimshme. Duke qenë se izraelitët janë bindur më të fund kërkesës së SHBA për të mos goditur objektiva strategjikë që duke qenë se janë përpara zgjedhjeve, amerikanët nuk kanë interes për përshkallëzim të menjëhershëm të situatës. Do të influenconte në zgjedhjet amerikane. Ka qenë i përllogaritur që të mos krijojë interferencë me zgjedhjet. Izraelitët nuk bëjnë dot luftë me Iranin pa SHBA. Dhe SHBA nuk janë në këto momente për të hyrë në luftë me Iranin për arsye politike, por edhe ushtarake.

Kreshnik Osmani: E vërteta është që në një kohë lufte ka të vërteta dhe gënjeshtra. Sa i përket goditjes, ishim në një moment që u pasua nga vizitat të Blinken në rajon, vinte në mënyrë të përsëritur se kishte qëllimin ndalimin e përhapjes së një lufte masive se kjo ka efekte të drejtpërdrejta në zgjedhjet e SHBA. Netanyahu kë do që të fitojë në Amerikë në takimin e fundit me Trump, ka marrë dritë jeshile. Trump në një takim në Michigan, ka premtuar se do të ketë paqe edhe në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën. Izraeli bëri hakmarrje estetike, gjysmë gjeopolitike dhe gjysmë ushtarake për nevoja edhe të Amerikës dhe të vetë Izraelit që nuk mundet ta përballonte një kundërpërgjigje masive të Iranit. Ka llogari të imta që mund t’i bëjmë tani për të dekriptuar ekuilibrat ushtarakë dhe sistemet mbrojtjes raketore.

Artur Meçollari: Ishte një goditje e kalkuluar, u bë në tre valë 3-4 orë. E para ishte goditja e infrastrukturës kundër ajrore dhe ajrore. E dyta, ishte kundër sistemeve balistike dhe e treta, kundër infrastrukturës industriale të prodhimit të armëve. Nga 20 objektiva, një pjesë e mirë nuk u goditën për shkak të suksesit të dy sistemeve kundërajrore të Iranit. Nga terreni, kanë raportuar për 6 shpërthime. Pra, ka asgjësim të raketave izraelite në momentin e sulmit. Të gjithë janë sulme raketore nga ajri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!