Ukraina u ka kërkuar qytetarëve të saj që janë larguar nga vendi pas pushtimit rus që të mos kthehen në shtëpi këtë dimër për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga sulmet me dron dhe raketa ruse në rrjetin elektrik, sipas CNN.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk të martën u kërkoi ukrainasve që të mos kthehen, të paktën këtë dimër.
“Ne duhet të mbijetojmë këtë dimër. E shihni se çfarë po bën Rusia. Të kthehesh tani do të thotë të ekspozosh veten, fëmijët, të afërmit e tu, të pambrojtur ndaj kësaj,” shtoi Vereshchuk.
“Në pranverë do të doja shumë që ne të punonim së bashku për të rindërtuar rajonin tonë të Kharkiv, rajonin Kherson dhe pjesën tjetër të qyteteve dhe vendbanimeve tona këtu në Ukrainë.”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një konferencë ndërkombëtare në Berlin të martën se raketat ruse dhe dronët e prodhuar nga Irani kanë “shkatërruar më shumë se një të tretën” e sektorit energjetik të Ukrainës.
/abcnews.al