Sulmet në veri/ Shala nga PSD: Kurti duhet ta ndryshojë kornizën dialoguese

schedule16:37 - 29 Shtator, 2023

schedule 16:37 - 29 Shtator, 2023

KOSOVË- Përplasjet e fundit Kosovë-Serbi kanë zgjuar faktorin ndërkombëtar, i cili ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe po ashtu ka kërkuar që autorët e sulmit të së dielës të dalin para drejtësisë.

Pas kësaj ngjarjeje, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që Drafti i Asocacionit të hartohet me ndihmën e SHBA, por kërkesa e saj duket se nuk është pranuar dhe mbështetur nga ana e kryeministrit Albin Kurti.

Azdren Shala nga Partia Social Demokrate thotë se partia e tij nuk e mbështet asociacionin si produkt politik.

“Ky dallim mendimi mes peridentit dhe kryeministrit, për fat të keq nuk është dallim, por është dallim për mënyrë se si do të shkojnë tek asociacioni. Për PSD i dëmshëm është asociacioni si produkt politik. A e bëjnë përmes Amerikës, apo përmes BE, për PSD nuk ka rëndësi”, tha ai.

Pas ngjarjes së të dielës, Shala thotë se qeveria Kurti duhet të ndryshojë kornizën dialoguese.

“Ne, qysh e kemi thënë çdo herë, është që qeveria Kurti duhet ta ndryshojë kornizën dialoguese edhe mundësisht me e shmang asocacionin. Për PSD, është shumë e qartë, kjo nuk është hera e parë që politika serbe krijon skanerë të tillë për të hequr përgjegjësinë nga vetja”, shtoi ai.

Ai u shpreh kritik për veprimet e Serbisë, e cila nderoi terroristët e vrarë duke shpallur një ditë zie kombëtare. Shala tha se në mënyrë indirekt Serbia e pranoi se qëndron pas sulmit të armatosur ku humbi jetën efektivi i policisë.

“Kjo përpjekje e Vuçiçit, për të nxjerre Serbinë si jo përgjegjëse karshi këtij aktit terrorist është e papërgjegjshme dhe e pasaktë. Radojiçiç është serb i Kosovës, por vetë Serbia në këto ditët e fundit e ka dëshmuar direkt apo indirekt se është prapa këtij skenari. Vuçiç e ka humbur arsyen”, tha ai./ n.m.abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!