Autori i dy sulmeve te armatosura ne Gjermani ishte një person me qëndrime të qarta kundër hebrenjve, që i cilëson rrënjë të të gjitha problemeve. Policia gjermane po e heton ngjarjen si një sulm anti-semit, por disa rrethana të episodit mbeten të paqarta.
Sulmet me armë zjarri të ndodhura paraditen e së mërkurës ndaj një fast fudi arab dhe një sinagoge në qytetin Hale, në lindje të Gjermanisë kanë patur motive raciste. Në këtë përfundim kanë arritur autoritetet federale pas mbledhjes së të dhënave dhe dëshmive mbi dy episodet, që lanë dy të vdekur dhe dy të plagosur.
Duke reaguar, ministri i Brendshëm gjerman Horst Zehofer ka deklaruar se bëhet fjalë për një sulm anti-semit.
“Sipas prokurorit federal, ka prova të mjaftueshme që tregojnë për një sulm të motivuar nga e djathta ekstreme”, ka thënë Zehofer. Ajo çfarë përforcon dyshimet e autoriteteve është edhe një video e realizuar nga vetë autori i sulmeve, përmes një kamere të fiksuar në kokë.
Në video, e postuar në një faqe interneti lojërash elektronike, agresori dëgjohet të thotë me zë të lartë: “Rrënjët e të gjitha problemeve janë hebrenjtë” dhe më pas ai hap zjarr. Viktimat e sulmeve janë një burrë, që humbi jetën në fast fudin arab dhe një grua, që u gjet e vrarë pranë sinagogës.
Dëshmitarë okularë deklaruan se i dyshuari u përpoq të hynte me forcë brenda objektit të kultit, ku ndodheshin rreth 80 persona. Ndërkohë, nga mediat gjermane mësohet se dy personat e plagosur i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike në spitalin e qytetit.
Autoritetet menjëherë urdhëruan rritjen e masave të sigurisë pranë sinagogave, ndërsa kancelarja Angela Merkel i shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave, si dhe solidaritetin e saj komunitetit hebre. Gjithashtu, një minutë heshtje u mbajt në nder të viktimave në Parlamentin Europian, në Bruksel.
/ABC News Albania 24/7