Sulmet me dronë dhe raketa në Ukrainë, shkon në 30 numri i të vdekurve

schedule11:07 - 30 Dhjetor, 2023

schedule 11:07 - 30 Dhjetor, 2023

Të paktën 30 persona janë vrarë dhe mbi 160 të tjerë janë plagosur nga bombardimet ruse në qytetet e mëdha ukrainase më 28 dhe 29 dhjetor.Ukraina e ka cilësuar sulmin rus si më të madhin deri tani në luftën pushtuese që Moska e nisi në shkurt 2022.

Forca Ajrore e Ukrainës tha se nuk kishte parë asnjëherë aq shumë raketa të lëshuara përnjëherë. Rusia e “përdori pothuajse çdo lloj të armëve në arsenalin e vet” për të sulmuar, përfshirë shtëpitë dhe spitalet, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Më shumë se 100 shtëpi banimi u shkatërruan apo dëmtuan, 45 ndërtesa të larta, shkolla, dy kisha, spitale dhe një spital i lindjes u goditën gjithashtu, tha Zelensky.

“Është e rëndësishme që bota të reagojë ndaj këtij manifestimi të radhës të terrorizmit”, tha ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar për këtë sulm, të cilin ndihmëssekretari i Përgjithshëm, Khaled Khiari e quajti të “tmerrshëm”.

“Tragjikisht, viti 2023 po përfundon ashtu siç filloi, me shumë shkatërruese ndaj popullit të Ukrainës”, tha ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se ky ishte “sulmi më i madh ajror ndaj Ukrainës prej se nisi lufta” dhe se Rusia përdori dronë dhe raketa, përfshirë raketa me kapacitet hipersonik, për t’i goditur qytetet dhe infrastrukturën civile në gjithë Ukrainën.

Ai shtoi se, nëse Kongresi nuk vepron menjëherë, “ne nuk do të jemi në gjendje të vazhdojmë të dërgojmë armë dhe sisteme jetike të mbrojtjes ajrore për të cilat Ukraina ka nevojë për ta mbrojtur popullin e vet”.

Biden u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë ta miratojnë pakon prej 61 miliardë dollarësh të propozuar nga ai për ta ndihmuar Ukrainën.

/abcnews.al