Sulmet kibernetike nga Irani, Peleshi: Projekt 24 mln dollarë për të forcuar mbrojtjen, jemi të paprekshëm

schedule12:46 - 14 Shtator, 2022

schedule 12:46 - 14 Shtator, 2022

Shqipëria ra pre e dy sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike. Nga sulmi i parë i 15 korrikut u hakuan faqet online të qeverisë dhe platforma online e-Albania. ndërsa më 9 shtator pre e sulmit ra sistemi TIM në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë.

Pas sulmve qëndronte Irani me të cilin Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë bëri me dije se po punojnë për një projekt 24 mln dollarë për të rritur mbrojtjen kibernetike. Gjithashtu ai deklaroi se nuk ka vend për panik pasi vendi ynë, si vend anëtar në NATO është i pacenueshëm.

Peleshi: Për herë të parë po e ndaj me publikun faktin që sistemet tona kibernetike ushtarake as herën e parë as tani nuk janë prekur. Janë më se të mbrojtura për shkak se janë të dedikuara dhe të shkëputura nga sistemet e tjera. Sa i përket planeve dhe projekteve që po punojmë për ta ngritur në një nivel më të lartë sigurinë kibernetike jemi në zbatim të një projekti shumë të madh në vlerë 24 mln dollarë të mbështetur nga partnerët që synon ngritjen e qendrës së sigurisë kibernetike dhe aftësimin e stafit. Nuk jemi në ndonjë skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit tonë. jemi anëtarë të NATO-s, jemi të paprekshëm. Asnjë territor i NATO-s nuk është i cenueshëm.

Këshilli i Ministrave miratoi sot projektvendimin për përmirësimin e trajtimit financiar të personelit ushtarak apo civil në përfaqësi diplomatike pranë NATO-s apo organizatave ndërkombëtare jashtë vendit.

Duke informuar mediet mbi këtë vendim, Ministri i Mbrojtjes,  u shpreh se bëhet fjalë për një komunitet prej 85 përfituesish.

Sipas ministrit, ky vendim tregon se Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shqiptare janë të vendosura të vazhdojnë të investojnë për rritjen e dinjitetit dhe reputacionit të FA-së për sa i përket përmirësimit infrastrukturor, modernizimit të tre forcave tona ajrore, tokësore dhe detare, por edhe të rritjes së dinjitetit të ushtarakut përmes një trajtimi më të mirë financiar.

Peleshi kujtoi se vetëm par dy muajsh ka filluar rritja me 30% e pagave për të gjithë ushtarakët në FA.

Peleshi: Projektvendimi ka lidhje me përmirësimin e trajtimit financiar të përfaqësuesve ushtarakë apo civilë në përfaqësi të jashtme, bëhet fjalë për një komunitete jo shumë të madh, janë rreth 85 përfitues. Ky është një vendim që tregon se qeveria shqiptare do vazhdojë të investojë  për të rritur reputacionin e FA të Shqipërisë.

Para dy muajsh ka filluar rritja 30% e pagave për të gjithë ushtarakët. Është një nga trajtimet më dinjitoze krahasuar me vendet e rajonit. Kjo sot është bërë edhe më e rëndësishme për shkak të situatës së sigurisë që ka ndryshuar pas agresionit rus. Duhet të investojmë më shumë për të përmirësuar sigurinë edhe atë kibernetike. Ne jemi të sulmuar dhe le të themi, jemi duke u përballur me sulme serioze./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!