Sulmet kibernetike, Begaj mbledh sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar

schedule08:07 - 10 Tetor, 2022

schedule 08:07 - 10 Tetor, 2022

Presidenti, Bajram Begaj pritet të mbledhë sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar për çështjen e sulmeve kibernetike iraniane.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, si dhe të tjerë.

Gazetarja e Abc Erneta Shevroja raportron se në  mbledhje do  të jetë edhe drejtoresha e AKSH-it, ndërsa nuk  nuk është thirrur asnjë politikan nga opozita.

Gjatë verës Shqipëria ka rënë pre e sulmeve kibernetike iraniane.

Janë sulmuar faqet zyrtare qeveritare online të vendit tonë, sistemi TIMS  dhe sistemi MEMEX. Për pasojë Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Po çfarë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare?

Ligji për Drejtimin e Forcave të Armatosura përcakton se “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore”.

Këshilli i sigurisë nuk merr vendime, por ndihmon Presidentin në detyrat e tij kushtetuese.

Cilët janë anëtarët e Këshillit?

Këshilli i Sigurisë përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës.

Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë.

Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

Ligji i jep të drejtën Presidentit të “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.

/abcnews.al/