Sulmet ajrore të Izraelit në Gazë dhe Bregun Perëndimor, vriten 25 persona

schedule18:10 - 11 Shtator, 2024

schedule 18:10 - 11 Shtator, 2024

Sulmet ajrore izraelite në territoret palestineze vranë të paktën 20 palestinezë në Gazë dhe pesë në Bregun Perëndimor të mërkurën, sipas autoriteteve palestineze.

Ndër të vrarët në Gazë ishin 16 gra dhe fëmijë, gjashtë prej të cilëve nga e njëjta familje, sipas zyrtarëve në Spitalin Evropian në Gazë, ku u dërguan trupat e viktimave.

Ndërkohë, Presidenti amerikan Joe Biden dënoi të mërkurën vrasjen e aktivistes amerikane nga forcat izraelite ndërkohë që po protestonte ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor. Ai tha se është “i indinjuar dhe thellësisht i tronditur”, duke e quajtur vrasjen e saj “plotësisht të papranueshme”.

“Duhet të përcaktohet përgjegjësia e plotë”, tha zoti Biden përmes një deklarate. “Izraeli duhet të bëjë më shumë për t’u siguruar se incidente të tilla nuk ndodhin kurrë më.”
Izraeli tha të martën se aktivistja 26 vjeçe Aysenur Ezgi Eygi nga qyteti i Siatëll mund të jetë qëlluar “pa qëllim dhe pa dashje” nga ushtarët izraelitë.

Ndërkohë, të mërkurën në mëngjes një makinë me ngarkesë karburanti goditi një stacion autobusi në Bregun Perëndimor, duke lënduar rëndë një person. Zyrtarët izraelitë thanë se bëhet fjalë për një sulm dhe njoftuan se shoferi i makinës ishte qëlluar në vendin e ngjarjes, por ata nuk ofruan të dhëna të mëtejshme.

Ushtria izraelite njoftoi se gjatë natës dy pjesëtarë të saj humbën jetën dhe shtatë të tjerë u lënduan nga rrëzimi i një helikopteri në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Ushtria tha se po hetonte shkakun e rrëzimit të helikopterit, i cili ishte nisur për të evakuuar ushtarët e plagosur në Gazë, por përjashtoi mundësinë që ai të jetë rrëzuar si pasojë e luftimeve.

Ndërkohë, në deklaratën e parë që kur u emërua udhëheqës kryesor i Hamasit, Jahja Sinuar përgëzoi Presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune për rizgjedhjen në postin e presidentit dhe falenderoi Algjerinë për përkrahjen, siç tha ai, të “kauzës palestineze”.

Algjeria, që është shtet përfaqësues arab në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në muajin maj propozoi një projekt rezolutë që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe për ndalimin e operacionit ushtarak izraelit në qytetin jugor të Rafahut.

Një marrëveshje e mundshme për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve duhet të miratohet nga drejtuesi i militantëve Sinuar, i cili i përket vijës së skajshme brenda Hamasit. Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po bëjnë përpjekje gati një-vjeçare për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, por negociatat për arritjen e saj janë bllokuar vazhdimisht.

Sinuari ishte njëri prej arkitektëve të sulmit të 7 tetorit, që nxiti luftën e Izraelit në Gazë. Ai nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës dhe besohet se është gjallë dhe fshihet në territorin e Gazës. Izraeli është zotuar se do ta vrasë. /voa