Kanë vazhduar për të dytën natë radhazi protestat në Paris që thuhet të kenë nisur si pasojë e trajtimit me racizëm të disa minoriteteve gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Demostratat nisën në kryeqytetin francez natën e shkuar për shkak të disa “sulmeve raciste të policisë.” Si përgjigje, forcat policore përdorën gazin lotsjellës dhe shkopinj gome në Villeneuve-la-Garenne, në veri të Parisit.
Edhe mbrëmjen e së hënës, në rrugë u hodhën sërish fishekzjarre në drejtim të policisë ndërsa efektivët e armatosur mundoheshin të vinin situatën nën kontroll. Shkak për protestën është bërë plagosja e rëndë e një 30-vjeçari i cili u përplas nga një makinë policie.
Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë fishekzjarret që e kthyen qiellin e natës në ngjyrë të kuqe ndërsa nga kazanët e mbeturinave të përfshirë nga flakët dilnin shtëllunga tymi. /abcnews.al/