Të paktën 13 persona, përfshirë 11 fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore të atribuuara forcave ajrore pakistaneze në zonat lindore të Afganistanit, pranë kufirit mes dy vendeve. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet afgane dhe qeveria de facto e talebanëve.
Sipas zëdhënësit të talebanëve, Zabihullah Mujahid, bombardimet ndodhën të martën në mbrëmje në provincat Kunar, Khost dhe Paktika. Në një reagim të publikuar në platformën X, Mujahid akuzoi Pakistanin për shkelje të sovranitetit dhe hapësirës ajrore afgane.
Qeveria de facto në Kabul e dënoi ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si një tjetër shkelje të territorit afgan.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Afganistanit dhe Pakistanit, ndërsa mosmarrëveshjet për sigurinë kufitare dhe aktivitetin e grupeve të armatosura vazhdojnë të rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.


