Sulm terrorist në Zelandën Re, dhjetëra të vdekur

schedule09:12 - 15 Mars, 2019

schedule09:12 - 15 Mars, 2019

Një masakër e vërtetë ajo që ndodhi në orët e para të mëngjesit në dy xhami të ndryshme në Zelandën e Re, deri tani janë konfirmuar 49 viktima dhe më shumë se 40 të plagosur. Kryeministrja e vendit e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist.

Të paktën 49 viktima në Zelandën e Re si pasojë e të shtënave me armë në dy xhami në qytetin e Christchurch. Policia ka ndaluar tre burra dhe një grua. Kryeministrja e vendit Jacinda Ardern u shpreh se ai ishte një sulm terrorist. Mes agresorëve është dhe një shtetas australian, i cili më parë kishte publikuar një manifest kundër emigrantëve.

Policia ka çaktivizuar disa eksplozivë të vendosur në brendësi të automjeteve të parkuara pranë xhamive. Autori i masakrës quhet Brenton Tarant dhe është një australian i bardhë 28 vjeç. Ndërkohë që ushtarët kanë hedhur në erë dy çanta shpine të lëna në stacionin hekurudhor në Auckland pas alarmit që pasoi sulmin terrorist në dy xhamitë.

Kryeministrja konfirmoi për mediat se niveli i alarmit në vend mbetet i lartë. Një nga autorët e sulmeve kundër xhamive, kishte shkruar në armën e tij dhe disa emra të heronjve të tij. Mes tyre figuronte dhe italiani Luka Traini, autor i të shtënave kundër emigrantëve në Maçerata në shkurt të 2018-s.

Autori i sulmeve transmetoi nëpërmjet Facebook çdo gjë që po ndodhte në kohë reale. Video prej 17 minutash u hoq më pas nga rrjeti social./abcnews.al