Një person i armatosur ka hapur zjarr në qytetin e vjetër të Jerusalemit, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë. Personi i armatosur, të cilin zyrtarët e identifikuan si një anëtar i grupit militant palestinez, Hamas, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite të sigurisë.
Një civil i plagosur vdiq në spital nga plagët e marra. Një tjetër u plagos rëndë. Në mesin e të plagosurve janë edhe dy policë izraelitë, thanë zyrtarët. Ministri i Sigurisë së Brendshme, Omer Bar-Lev, tha se sulmuesi kishte përdorur një pushkë automatike.
Sulmi ndodhi pranë një porte të një kompleksi në Jerusalemin Lindor që shumë shpesh është pikë e dhunës. Në atë pjesë ndodhet xhamia Al-Aksa, një nga vendet më të nderuara të Islamit, dhe gjithashtu vendi më i shenjtë në Judaizëm, i njohur si Mali i Tempullit.
Sulmuesi u identifikua si një palestinez 42-vjeçar nga Jerusalemi Lindor.
Një zëdhënës i Hamasit konfirmoi se personi, të cilin mediat palestineze dhe izraelite e identifikuan si Fadi Abu Shkhaydam është një anëtar i krahut politik të grupit.
Autoritetet izraelite thanë se sulmi “zgjati 32 deri në 36 sekonda”.
Ministri Bar-Lev tha se personi i armatosur dukej se kishte bërë përpjekje të maskohet si një hebre ortodoks. Sulmet e dhunshme me thikë janë një dukuri e shpeshtë Jerusalem, por sulmet me armë janë të rralla.
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se ai u kishte kërkuar forcave të sigurisë që të jenë në gjendje gatishmërie.
Izraeli e ka pushtuar Jerusalemin Lindor që nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1967 dhe e konsideron të gjithë qytetin kryeqytet të tij, megjithëse kjo nuk njihet nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.
Palestinezët e pretendojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e ardhshëm të një shteti të pavarur./ REL