A rrezikohemi nga “Flurona”? Sulçebe: “Arma” e fuqishme nuk janë ilaçet por doza përforcuese

schedule09:13 - 6 Janar, 2022

schedule 09:13 - 6 Janar, 2022

Imunologu Genc Sulçebe, gjatë intervistës që dha me gazetarët Enkel Demi dhe Bora Shahini në “Abc-ja e mëngjesit” theksoi se doza përforcuese është thelbësore për të siguruar mbrojtjen e duhur nga virusi. Ai shpjegoi se doza e tretë duhet të merret pas 4-5 muajve pasi nivelet e antritrupave bien. Sipas tij, doza e tretë mbron deri në 70 përqind.

“Kjo valë nuk ka arritur akoma kulmin, kemi akoma. Me gjithë imunizimin, ky është i pjesshëm dhe jo i plotë. Dhe ka njerëz të brishtë, të moshuar, me sëmundje të ndryshme, të cilët mund të kalojnë dhe jo aq mirë dhe mund të përfundojnë në spitale megjithëse kanë bërë vaksinën. Studimet tregojnë se e vetmja mbrojtje është imunizimi përforcues.

Të tjerat janë të pamjaftueshme. Nëse e kemi kaluar përpara infeksionin, nuk je i mbrojtur. Omicronin mund ta kalosh prapë. Ata që kanë bërë dy dozat e para, vaksinimin primar, janë të pambrojtur. Vaksinimi përforcues është ai që mbron në një masë deri në 70 përqind nga sëmundja, ndoshta dhe më tepër nga shtrimi në spital.”, tha imunologu.

A rrezikohemi nga “Flurona”? “Në këtë stinë të dy viruset qarkullojnë, në raste të veçanta mund të kemi kombinim nga njerëz të pambrojtur, por janë të rralla. Nuk mund të themi se mund të kemi epidemi. Por një situatë gripale si zakonisht.”, theksoi imunologu.

Sulçebe shtoi se është i nevojshëm imunizimi pasi jemi në fazën fillestare të kësaj vale. Ndërsa Taulant Muka theksoi se pranvera e këtij viti do të shënojë dhe fundin e pandemisë. Ai shtoi se virusi do të qarkullojë por do të jetë i pranueshëm për shoqërinë dhe se nuk do të ketë ngarkesë shtrimi në spital. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!