Suedia paralajmëron autoritetet: Bëhuni gati për një valë të dytë!

schedule18:50 - 6 Korrik, 2020

schedule 18:50 - 6 Korrik, 2020

Suedia i ka urdhëruar autoritetet e Shëndetit në vend që të përgatiten për një valë të dyte të rasteve me koronavirus këtë vjeshtë.

Vendi Nordik njoftoi se vdekjet dhe rastet kritike janë ulur pavarësisht vendimit kontrovers për të mos vendosur masa të rrepta izolimi. Megjithatë, ministrat kanë paralajmëruar se Suedia mund të “përmbytet” nga një valë e dytë infeksionesh brenda disa muajsh.

Prej muajsh Suedia e ka mbrojtur strategjinë e saj të mos vendosjes së izolimit të plotë, por zyrtarët thanë sot se ‘rregulloret rajonale’ mund të vendosen nëse raste shqetësuese shfaqen në vend.

Qeveria është përballur me kritika në rritje për strategjinë e saj javët e fundit, pasi shkalla e infekimit mbetet ende e lartë në Suedi ndërsa shumica e Evropës po del nga izolimi.

Ministrja e Shëndetësisë në vend Lena Hallengren u shpreh ditën e sotme se numri i personave që janë seriozisht të sëmurë me Covid-19 vijon të jetë me një trend ulës.

Numri i përgjithshëm i rasteve të reja ishte më i lartë në qershor sesa në maj, por Suedia thotë se kjo vjen si shkak i niveleve më të larta të testimit dhe se numri i të shtruarve në kujdesin intensiv është në rënie. /abcnews.al/