Suedia njoftoi planet e reja për të luftuar bandat duke ulur dënimet për ata që bashkëpunojnë me policinë. Propozimi përqendrohet te të dyshuarit dhe dëshmitarët kryesorë të cilët mund të bashkëpunojnë me policinë për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të tjerë.
Kriminelëve suedezë aktualisht mund t’u ulet dënimi nëse bashkëpunojnë me hetuesit në rastin e tyre, por jo duke ndihmuar në kapjen e të tjerëve. Gjatë viteve të fundit, Suedia e njohur si një vend paqësor, është përballur me një sërë incidentesh dhe sulme të përgjakshme që i atribuohen bandave mafioze.
Në vitin 2021, 46 persona u vranë si pasojë e 346 të shtënave me armë në vend, sipas policisë, duke e renditur Suedinë në një ndër vendet me numrin më të madh të sulmeve në Europë.
Në tetor, vrasja në një lagje të pasur të Stokholmit e një prej reperëve të rinj më të famshëm në vend, 19 -vjeçarit Einar, tronditi opinionin kombëtar. Shumica e viktimave janë të rinj nga lagjet famëkeqe në qytetet kryesore suedeze.
Propozimi i qeverisë, i ndikuar nga masat e marra në Norvegji dhe Danimarkë , u përfshi në listën e propozimeve të paraqitura në vitin 2019 në përpjekje për të zgjidhur problemin. Qeveria Social Demokrate, kishte miratuar tashmë një projekt-ligj verën e kaluar për të ashpërsuar dënimet për kriminelët e rinj nga mosha 18 deri në 20 vjeç.
Gjithashtu priten propozime të reja gjatë muajve të ardhshëm për luftuar krimin.
/abcnews.al