Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Suedia drejt ndryshimit të drejtësisë për të miturit/ Rritja e dhunës së bandave po shtyn autoritetet të propozojnë masa më të ashpra

schedule17:20 - 7 Qershor, 2026

schedule 17:20 - 7 Qershor, 2026

Suedia po përballet me një nga debatet më të forta të viteve të fundit mbi sistemin e drejtësisë penale për të miturit, në një kohë kur vendi po përjeton një rritje të ndjeshme të dhunës së bandave kriminale, përfshirë vrasje me armë zjarri dhe shpërthime.

Ajo që shqetëson më shumë autoritetet është fakti se në disa raste, autorët e këtyre krimeve janë fëmijë shumë të rinj, nën moshën 15 vjeç.

Në këtë situatë, qeveria suedeze ka propozuar një ndryshim rrënjësor në ligj ku kërkohet ulja e moshës së përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjeç dhe krijimin e burgjeve të posaçme për të miturit që kryejnë krime të rënda, përfshirë vrasje, tentativë vrasjeje dhe sulme të rënda.



Një nga institucionet që po përgatitet për këtë reformë është burgu i Rosersbergut, në veri të Stokholmit.
Aty po zhvillohen punime për të krijuar një sektor të veçantë për të miturit e dënuar për krime të rënda, me siguri të shtua

r, por edhe me fokus të deklaruar te edukimi dhe rehabilitimi.

Në këtë burg, ambientet janë të thjeshta, por të organizuara me kushtet bazë për jetesë dhe studim, ndërsa çdo pavijon do të strehojë një numër të kufizuar të burgosurish për të lehtësuar mbikëqyrjen.

“Pra, kjo është qelia ku do të vendosen të burgosurit. Është rreth 10 metra katrorë. Do të kenë një shtrat, një televizor, një tavolinë dhe një karrige, në mënyrë që të mund të studiojnë. Dhe çdo dhomë ka tualetin e vet”, pohoi Gabriel Wessman, drejtori i burgut Rosersberg.

Autoritetet suedeze theksojnë se ideja nuk është vetëm ndëshkimi, por edhe përpjekja për të parandaluar përsëritjen e krimeve, duke investuar në edukim dhe rehabilitim brenda burgjeve të posaçme për të miturit.

“Qëllimi ynë kryesor është që këta të rinj të mos rikthehen në krim. Ne nuk duam që ata të kthehen si të rritur në sistemin e burgjeve”, tha Wessman.

Megjithatë, ky plan ka shkaktuar debat të fortë politik dhe shoqëror në Suedi. Qeveria argumenton se vendi ndodhet përballë një situate emergjente, ku bandat kriminale po rekrutojnë gjithnjë e më shpesh adoleshentë dhe madje fëmijë shumë të vegjël për të kryer vepra të rënda penale.

Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, e përshkruan situatën si kritike dhe të rrezikshme për sigurinë publike.

“Në përgjithësi, vlerësojmë se kemi një situatë shumë akute dhe shumë serioze me dhunë që kërcënon jetën e njerëzve dhe që justifikon masa të forta si këto”, theksoi Gunnar Strömmer, ministër i drejtësisë.

Ai shton se përfshirja e të miturve në krime të rënda është kthyer në një fenomen shqetësues në rritje.

“Vitin e kaluar, 52 fëmijë nën moshën 15 vjeç janë përfshirë në procese gjyqësore si të dyshuar për vrasje ose tentativë vrasjeje. Nuk po flasim për vjedhje apo grabitje, por për vrasje”, njoftoi Strömmer.

Nga ana tjetër, kundërshtarët e këtij propozimi paralajmërojnë se ulja e moshës së përgjegjësisë penale dhe futja e fëmijëve në burg mund të ketë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale, duke rrezikuar edhe më shumë të ardhmen e tyre.

“Ne jemi fuqimisht kundër uljes së moshës së dënimit. Burgjet nuk janë vend për 13-vjeçarë. Nëse ka nevojë, duhet të përdoren institucione të tjera ku këtyre të rinjve t’u ofrohet ndihmë dhe rehabilitim. Nuk duhet t’i vendosim në burgje me të rritur”, tha opozitari Samuel Gonzalez Westling.

Sipas planit të qeverisë, burgjet e reja për të miturit do të kenë një regjim të veçantë, ku arsimi, aktivitetet sportive dhe programet e rehabilitimit do të jenë pjesë e përditshme e jetës së të burgosurve.
Qelitë do të mbyllen në orën 20:00 dhe synimi është mbajtja e tyre larg ndikimit të krimit të organizuar, si dhe riintegrimi në shoqëri.

Suedia po përpiqet të frenojë zgjerimin e rrjeteve kriminale, të cilat sipas autoriteteve rekrutojnë të rinj përmes presionit, varfërisë dhe rrjeteve sociale.

Parlamenti suedez pritet të votojë këtë ligj më 15 qershor, një vendim që mund të shënojë një ndryshim historik në sistemin e drejtësisë suedeze dhe të hapë një debat të gjerë në të gjithë Evropën mbi kufirin mes ndëshkimit dhe mbrojtjes së të miturve.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!