Suedi/ Gjykata e Lartë jep dritën jeshile për ekstradimin e një mbështetësi të PKK-së në Turqi

schedule09:58 - 7 Qershor, 2023

schedule 09:58 - 7 Qershor, 2023

Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të varet, ndër të tjera, nga e ardhmja e një mbështetësi të PKK-së, ekstradimi i të cilit në Turqi është miratuar nga Gjykata e Lartë e vendit nordik.

Me një lëvizje të tillë, Suedia do të përmbushte një nga kërkesat kryesore të Ankarasë për heqjen e vetos për anëtarësimin në Aleancë. Gjykata e Lartë me vendimin e saj hodhi topin në duart e qeverisë për të ardhmen e 35-vjeçarit, siç raporton gazeta suedeze Aftonbladet.

Në Suedi, vendimet përfundimtare për ekstradimin e njerëzve në një vend të tretë merren nga qeveria por ajo nuk mund të vazhdojë me një lëvizje të tillë nëse kundërshtohet nga Gjykata e Lartë.

Sipas Aftonbladet, gjykata e mori vendimin javën e kaluar, në një kohë kur Suedia dhe Turqia po intensifikojnë bisedimet pas rizgjedhjes së Rexhep Tajip Erdogan.

35-vjeçari u dënua në vitin 2014 me katër vjet e shtatë muaj burg në Turqi për transportimin e një çantë shpine me kanabis. Ai u lirua me kusht dhe më vonë emigroi në Suedi, por u arrestua gushtin e kaluar me kërkesë të prokurorëve turq, të cilët kërkuan që ai të vuante pjesën tjetër të dënimit.

Ai, megjithatë, pohon se arsyeja e vërtetë që autoritetet turke kërkojnë ta burgosin janë lidhjet e tij me Partinë Demokratike Popullore pro-kurde (HDP) dhe sepse ai ka mbështetur PKK-në, të cilën Ankaraja e akuzon si një organizatë terroriste.

Gjykata e Lartë e Suedisë tha se kishte pyetur prokurorin turk nëse kishte hetime ose akuza të vazhdueshme kundër këtij personi për “propagandë për një organizatë terroriste” ose “fyerje të presidentit turk”, gjë që prokurori e mohoi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!