Suarez e ka me kritikët: Kujtoni pak Realin, thatë që kishte mbaruar!

schedule12:30 - 22 Gusht, 2020

schedule 12:30 - 22 Gusht, 2020

“Ishte një nga ato ditë, kur shkoi gjithçka keq. Nuk dua të justifikohem, por është një vit i rrallë dhe Bayern ishte i përgatitur shumë mirë”, thotë shkurtimisht Luis Suarez, sulmuesi i Barcelonës që shënoi në portën e Bayern Munich, në një ndeshje që përfundoi me rezultatin 8-2 në favor të gjermanëve.

Më pas te Barcelona ishte e pashmangshme që të mos shkarkohet trajner Quique Setien, ndërkohë që ka zëra të shumtë për largime në masë nga katalanasit. Mes tyre edhe ai i uruguaianit, i cili ka folur për “El Pais” dhe ka qenë i qartë. “Askush në klub nuk më ka thënë që duan të vazhdojnë pa mua. Unë dua më të mirën për ekipin dhe qëllimi im është të qëndroj”, thotë fillimisht Suarez.

Sulmuesi nuk ndalet me kaq: “Nuk më pëlqen të bëj krahasime, por mbaj mend që kur Realin e eliminoi Ajax në Champions League u tha se Kroos kishte mbaruar, Modric duhet të ikë dhe Ramos ishte një katastrofë. Asnjë lojtar nuk vlente. Një vit më pas gjërat shkuan mirë dhe të gjithë ishin fenomenë dhe kishin bërë një ekip legjendar.

Ata ishin edhe më parë ekip i shkëlqyer, por kur humbet gjuhet kundër gjithçkaje dhe të gjithëve. Kjo është e turpshme, sepse ndodh gjithë kohës e njëjta gjë. Ajo që është e bardhë sot, nesër është e zezë dhe anasjelltas. Sinqerisht mendoj se ndonjëherë mungon koherenca, nuk ka durim dhe mbi të gjitha harrohet gjithçka”.

Suarez, i ngacmuar nëse e sheh vetën si rezervë te Barcelona, thotë: “Gjatë karrierës time kam pranuar të jem zëvendësues dhe nuk do ta kisha problem ta bëja sërish. Konkurrenca është e shëndetshme dhe nëse trajneri mendon se unë duhet ta bëj pjesën time të punës duke nisur nga pankina, nuk kam asnjë problem. Unë dua të qëndroj te Barcelona për sa kohë duan të më besojnë, dua të jap kontributin tim. E kam ndjerë mbështetjen e njerëzve që nga momenti që kam ardhur dhe kjo më motivon më shumë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!