STUDIMI/ Koronavirusi ndikon negativisht në cilësinë e spermës

schedule13:03 - 29 Janar, 2021

schedule 13:03 - 29 Janar, 2021

Rastet e rënda të Covid-19 mund të ndikojnë në cilësinë e spermës së një burri, duke ndikuar kështu ndoshta në fertilitetin e tij, sipas një studimi të ri të botuar në revistën Reproduction.

Ky raport ofron provat e para të drejtpërdrejta deri më tani se  Covid-19 ndikon në cilësinë e spermës dhe potencialin riprodhues të meshkujve.

Sidoqoftë, ekspertët e pa përfshirë në studim ishin menjëherë skeptikë në lidhje me përfundimin e raportit dhe kërkuan kujdes në mbivendosjen e gjetjeve të hulumtimit.

“Duhet bërë shumë kujdes në interpretimin e këtyre të dhënave. Për shembull, autorët deklarojnë se të dhënat e tyre tregojnë se “infeksioni Covid-19 shkakton dëmtime të konsiderueshme të funksionit riprodhues mashkullor”, por tregon vetëm një lidhje”, tha Allan Pacey, një profesor i andrologjisë në Universitetin e Sheffield në Mbretërinë e Bashkuar.

“Të jesh i sëmurë nga ndonjë virus si gripi mund të ulë përkohësisht numrin e spermatozoideve (ndonjëherë në zero) për disa javë ose muaj. Kjo e bën të vështirë të përcaktohet se sa prej reduktimeve të vëzhguara në këtë studim ishin specifike për Covid-19, apo thjesht nga të qenit i sëmurë”, tha Dr. Channa Jayasena, një konsulente në endokrinologjinë dhe andrologjinë riprodhuese në Imperial College London.

Për më tepër, “është e rëndësishme të theksohet se nuk ka asnjë provë të virusit Covid-19 në spermë dhe se nuk ka asnjë provë që virusi mund të transmetohet përmes spermës”.

Studimi përbëhej nga 150 burra pa Covid-19 dhe nga 74 të tjerë të diagnostikuar me koronavirus. Sperma e tyre u analizua në një interval 10-ditësh, për 60 ditë.

Krahasuar me burrat e shëndetshëm pa Covid-19, studimi gjeti një rritje të ndjeshme të inflamacionit në qelizat e spermës që u përkasin burrave me Covid-19.

Diferencat u rritën me ashpërsinë e sëmundjes, sipas studimit.

Sidoqoftë, nuk është për t’u habitur që Covid-19 mund të ndikojë në sistemin riprodhues mashkullor.

“Që nga fillimi i pandemisë Covid-19, ka pasur një shqetësim nëse ky koronavirus mund të ketë një ndikim të dëmshëm në pjellorinë e burrave që infektohen”, tha Pacey.

Pasi shqyrtoi rreth 14 studime të botuara në këtë temë, Allan Pacey  arriti në përfundimin se “çdo efekt i matshëm i koronavirusit në pjellorinë mashkullore është ndoshta vetëm i lehtë dhe i përkohshëm”.

Gjetjet e këtij studimi, mund të ishin për shkak të faktorëve të tjerë, të tilla si përdorimi i ilaçeve për të trajtuar virusin, të cilën autorët gjithashtu e pranuan në studim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!